Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale “bashkëkryerje”, “ndihmë”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur se ka siguruar prova dhe informacione që dyshojnë se tre persona, meshkuj kosovarë, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme zyrtare.
“Tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, si pasaporta, letërnjoftime, certifikata etj., me ç’rast dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta”, thuhet në njoftimin e Policisë.