Organizata Shqiptaria ka reaguar ndaj publikimeve të bëra nga profili në rrjetet sociale me emrin “Zef Kola”, duke dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes, fyerjet ndaj komunitetit mysliman dhe ofendimet ndaj figurës së Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Në reagimin e saj, organizata thekson se Adem Jashari është simbol i lirisë, rezistencës dhe sakrificës kombëtare, ndërsa fyerja e figurës së tij dhe nxitja e urrejtjes mbi baza fetare janë të papranueshme.
“Ekstremizmi fetar nuk ka komb dhe nuk ka fe. Qoftë ai me petk mysliman apo me petk të krishterë, ai mbetet po aq i rrezikshëm për shoqërinë tonë. Republika e Kosovës është shtet laik dhe demokratik, ku askush nuk duhet të sulmohet për shkak të besimit ose mosbesimit të tij”, thuhet në reagim.
Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve që synojnë përçarjen e shqiptarëve në baza fetare, duke theksuar se historia e shqiptarëve është ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe unitetin.
Në reagim shprehet gjithashtu shqetësimi lidhur me deklarimin publik të qytetarit Martin Gjini, i cili ka bërë të ditur se profili “Zef Kola” është i rremë dhe se është krijuar duke përdorur fotografitë e tij pa autorizim. Organizata përshëndeti vendimin e tij për ta denoncuar rastin në Policinë e Kosovës.