Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pas tragjedisë në Prishtinë, reagon kryetari Rama

Pas tragjedisë në Prishtinë, reagon kryetari Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur të martën në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor vdiq, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar rëndë.

“Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast.”, deklaroi Rama

Reagimi:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”.

Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë.

Falënderoj Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje të vështirë.

Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast.

Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.