Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është fakt i kryer që Qeveria e Kosovës ka dështuar të vejë në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, këtë fakt nuk mund ta fshehin deklaratat që ai i quan politike të MPJ-së, “ku në mes tjerash, iu tregohet vendeve anëtare të Këshillit se kushtëzimet qenkan të padrejta e jashtë rregullave të Këshillit”.
“Nuk ka kurrfarë kushtëzimi. Ka thjeshtë dështim nga mos koordinimi. Pra, ajo çfarë para dy vitesh ka nisur si degradim i gjithanshëm në politikën e jashtme të Kosovës, tash po prodhon edhe efekte konkrete. Dështimi i qeverisë për të ndërtuar një kohezion të qëndrueshëm dhe koordinim adekuat me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është një ndër dështimet kapitale në 20 vitet e fundit”, shkroi ai në Facebook.
“Aq më tepër, në një rrethanë ku kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk janë më pjesë e këtij Këshilli, si dhe kur një atmosferë e unitetit përballë aksit të së keqes po mbretëron nëpër Evropë, humbja e këtij shansi është e pafalshme. Për shkak të kësaj gjendje anemike në politikën e jashtme, sot, partnerët që na kanë ndihmuar në bërjen e shtetit, janë skeptik nëse vetë shteti ynë e ka të qartë se në çfarë rruge ka marrë drejtim. A se shteti ynë ka mbetur pa drejtim të qartë e pa ide se cilën rrugë duhet ndjekur, kjo tash është dukshme si drita. Ky është dështim më së paku i Ministres Gërvalla, e më së shumti i binomi”, përfundoi Tahiri. /TV Arbëria
MPJD: Nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës