Aktgjykimi ndaj Ilirjan Krasniqit është cenim i lirisë së shprehjes dhe alarm për karakterin laik të Republikës së Kosovës
Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin dhe dyshimin e saj të fuqishëm ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me të cilin Ilirjan Krasniqi është shpallur fajtor për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe është dënuar me 4.200 euro gjobë.
Ky aktgjykim, sipas vlerësimit tonë, nuk është në përputhje me frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës, me parimin e shtetit laik dhe me standardet demokratike për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
Republika e Kosovës është shtet laik. Institucionet publike, përfshirë sistemin e drejtësisë, duhet të udhëhiqen vetëm nga Kushtetuta, ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet demokratike, e jo nga presione fetare, ideologjike apo politike.
Organizata Shqiptaria kërkon që ky aktgjykim të ankimohet menjëherë pranë Gjykatës së Apelit dhe që kjo instancë të bëjë një shqyrtim të plotë të ligjshmërisë së vendimit, të respektimit të lirisë së shprehjes dhe të parimit të proporcionalitetit.
Po ashtu, kërkojmë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë veprimet profesionale të trupit gjykues dhe të ndërmerren masat e parapara me ligj.
Nuk mund të pranojmë që sistemi i drejtësisë të krijojë standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve që lidhen me fenë, historinë dhe debatet publike.
Në Kosovë, blasfemia nuk është vepër penale. Një qytetar nuk mund të dënohet penalisht vetëm për shkak të qëndrimeve të tij kritike ndaj figurave fetare, miteve apo interpretimeve historike. Kufiri i vetëm është ligji: nxitja konkrete e dhunës dhe urrejtjes kriminale, e jo mendimi, kritika apo qëndrimi i papëlqyeshëm.
Ne shtrojmë pyetjen: pse drejtësia nuk ka reaguar me të njëjtin standard kur janë fyer apo përdhosur figura historike dhe kombëtare të shqiptarëve, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu apo Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rrëzimi i bustit të Idriz Seferit me pretekstin se ishte katolik 2013 dhe 2017 etj, të cilat për shqiptarët përfaqësojnë vlera kombëtare të mbështetura në histori?
Pse një debat publik për figura fetare trajtohet me standard penal, ndërsa sulmet ndaj figurave historike dhe kombëtare konsiderohen vetëm pjesë e debatit publik?
Kjo krijon perceptimin e një pabarazie në zbatimin e ligjit dhe cenon besimin e qytetarëve në drejtësi.
Organizata Shqiptaria shpreh gjithashtu shqetësimin për ndikimin e debateve fetare në proceset publike dhe institucionale në Kosovë. Tryezat dhe deklaratat që synojnë të ndikojnë në politikat shtetërore duhet të mbeten pjesë e debatit demokratik dhe nuk mund të shndërrohen në presion mbi institucionet e drejtësisë.
Kosova nuk mund të ndërtohet mbi norma fetare apo ideologji të caktuara. Kosova është shtet qytetar, demokratik dhe laik, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, pavarësisht bindjeve fetare ose jofetare.
Ky vendim nuk është vetëm një çështje e një individi. Është një çështje e parimit: a do të mbetet Kosova një shtet ku qytetari ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, apo një shtet ku frika nga ndëshkimi penal kufizon debatin publik?
Organizata Shqiptaria do të vazhdojë të mbrojë lirinë e shprehjes, karakterin laik të Republikës së Kosovës dhe barazinë para ligjit.
Drejtësia duhet të mbrojë Kushtetutën dhe liritë qytetare, jo të kufizojë debatin demokratik.
Organizata Shqiptaria