Deputeti Xhavit Haliti ka vlerësuar kontributin e shtetit shqiptar në luftën për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si të jashtëzakonshëm.
Haliti bëri të ditur se, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Albert Halilaj, mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së katër zyrtarëve të shtetit shqiptar “Qytetarë Nderi”, për kontributin e tyre në mbështetjen e luftës së UÇK-së dhe ndihmën për sistemimin e mijëra civilëve të dëbuar nga Kosova gjatë luftës.
Në fjalën e tij, Haliti shprehu mirënjohje për të gjithë qytetarët e Shqipërisë që, sipas tij, në ditët më të vështira ndihmuan luftën çlirimtare dhe qëndruan pranë popullit të Kosovës. Ai theksoi se ky solidaritet mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së përbashkët të dy vendeve.