Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kongresistët amerikanë kërkojnë që takimi i OSBE-së të mos mbahet në Serbi, por në Karolinën e Jugut

Kongresistët amerikanë kërkojnë që takimi i OSBE-së të mos mbahet në Serbi, por në Karolinën e Jugut

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po kërkon që një takim për sigurinë evropiane i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të mbahet vitin e ardhshëm në Karolinën e Jugut, e jo në Serbi.

Kjo nismë e tyre nxjerr në pah mospajtimet mes republikanëve në Kongresin amerikan, si dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Uashingtonit me Serbinë.

Kongresisti republikan Joe Wilson do ta paraqesë të premten një rezolutë të përbashkët të 41 kongresistëve, e cila kërkon që sesioni vjetor i vitit 2027 i OSBE-së të mbahet verën e ardhshme në Çarlston, në shtetin e tij të Karolinës së Jugut, dhe jo në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, që favorizohet nga republikanë të tjerë me ndikim.

Reuters raportoi se e ka parë një kopje të rezolutës para publikimit të saj.

Çarlstoni dhe Beogradi janë kandidatë për të pritur këtë mbledhje vjetore të shteteve anëtare të OSBE-së nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut, një organizatë që vitet e fundit është përqendruar në menaxhimin e pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka pranuar ofertën e Asamblesë Kombëtare të Serbisë për të pritur sesionin vjetor në vitin 2027 në Beograd, i cili duhet të mbledhë më shumë se 300 anëtarë të parlamentit nga parlamentet e 57 shteteve anëtare të OSBE-së.