Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë edhe fjala përfundimtare e mbrojtjes së të akuzuarit Rrustem Rukolli në rastin “Drenica 1”.
Avokati Arianit Koci bëri të ditur se fjalën përfundimtare e kishte dorëzuar me shkrim, ndërsa para trupit gjykues paraqiti një përmbledhje të argumenteve kryesore.
Koci deklaroi se gjatë hetimit për këtë rast kishte qenë edhe vetë objekt i hetimeve, duke theksuar se Rukolli kishte qenë koordinator i ekipit mbrojtës në rastin “Drenica 1”, ku ai përfaqësonte Sami Lushtakun.
Sipas tij, përfshirja e tij dhe e Rukollit në hetim kishte për qëllim pengimin e punës së mbrojtjes.
“Vendimet i merrni mbi aktakuzën dhe provat, por konteksti procedural sipas meje është relevant për vlerësimin e provave”, deklaroi Koci.
Në fjalën e tij, avokati e vendosi procesin në një kontekst më të gjerë, duke argumentuar se rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së kanë ndikuar në perceptimin për luftën çlirimtare dhe legjitimitetin e saj. Ai përmendi zhvillimet që lidhen me raportin e Dick Marty-t, Task Forcën Hetimore Speciale (SITF) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke theksuar se ka pasur vazhdimësi të strukturave dhe personelit hetues.
Duke iu kthyer rastit konkret, Koci tha se Rrustem Rukolli kishte ushtruar vetëm detyrën e koordinatorit të ekipit mbrojtës të Sami Lushtakut dhe se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ndonjë veprim penal të tij.
“Pyetja është: Çfarë ka provuar prokuroria se ka bërë konkretisht Rrustem Rukolli? Asgjë!”, përfundoi Koci në fjalën e tij para trupit gjykues.