Stuhitë e fuqishme dhe erërat e forta që kanë përfshirë Komunën e Rahovecit gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, prona private dhe infrastrukturë.
Një nga zonat e prekura është fshati Zaqishtë, i njohur për traditën e kultivimit të hardhisë dhe prodhimit të rrushit. Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka vizituar nga afër vreshtin e fermerit Musli Gashi, ku pasojat e stuhisë kanë lënë dëme të dukshme.
Në këtë vresht, rreshta të tëra të hardhive janë rrëzuar në tokë nga fuqia e erërave, duke shkaktuar humbje për fermerin dhe dëmtuar një nga sektorët kryesorë të ekonomisë lokale.
“Po e shohim nga afër vreshtin e dëmtuar të Musli Gashit në Zaqishtë. Janë të shumta dhe të mëdha dëmet nga erërat dhe stuhitë e forta të ditës së djeshme”, ka deklaruar kryetari Smajl Latifi.
Ai ka bërë të ditur se pasojat e motit të keq janë evidentuar në disa fusha.
“Dëme ka në vreshta, në serra, në pemë, në çatitë e shtëpive, si dhe në shtyllat dhe kabllot e KEDS-it”, ka thënë Latifi.
Sipas tij, Komuna e Rahovecit do të nisë procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve përmes komisionit përkatës komunal.
“Komisioni Komunal për Regjistrimin dhe Vlerësimin e Dëmeve edhe këtë herë do ta bëjë më së miri punën e vet. Do t’i evidentojë të gjitha dëmet dhe do të përgatisë raportin përkatës”, është shprehur ai.