Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç ka thënë ai, mungesën e investimeve në sektorin e shëndetësisë.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Zemaj ka deklaruar se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë realizuar më pak se 2 për qind e investimeve kapitale të planifikuara në shëndetësi.
Sipas tij, kjo gjendje është e ngjashme me vitet e kaluara, ndërsa pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të shërbimeve cilësore, kushteve të përshtatshme, pastërtisë dhe barnave.
“Kjo është pasqyra e një qeverie ku mungon pothuajse gjithçka dhe ku nuk punohet për asgjë”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu shpenzimet për luks, reprezentacion dhe udhëtime, duke pretenduar se ato kanë arritur nivele të larta, ndërsa ka akuzuar qeverinë për favorizim të tenderëve njëburimorë, emërime familjare dhe rritje të kostove të barnave dhe materialit shpenzues.