Një operacion i madh policor është zhvilluar në Itali, ku është arritur që të kapet një sasi e madhe e kokainës.
Në disa prej pakove, ishte vendosur dhe simboli i flamurit serb.
Gjatë kontrolleve në portin e Vado Ligure, autoritetetkanë zbuluar një ngarkesë me 650 pako, të cilat, së bashku me ambalazhin, përmbanin një sasi totale prej mbi 770 kilogramësh lëndë narkotike.
Analizat e para të kryera në momentin e kontrollit konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me pastërti shumë të lartë.
Operacioni është rezultat i një pune të vazhdueshme analitike dhe kontrollesh të imtësishme të kryera nga efektivët e Grupit të Savonës dhe personeli i Doganave, të fokusuar në linjat tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Vado Ligure.
Ky port është kthyer në një pikë gjithnjë e më të rëndësishme të qarkullimit të mallrave drejt Evropës, por njëkohësisht edhe një objektiv i mundshëm për trafikun ndërkombëtar të paligjshëm.
Ky sekuestrim i fundit përfaqëson një nga operacionet më të rëndësishme antidrogë të viteve të fundit në portin e Vado Ligure.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, nëse kjo sasi kokaine do të hidhej në treg, organizatat kriminale do të mund të përfitonin rreth 250 milionë euro.