Osman Selmani, i lindur më 12.01.1953 në fshatin Tupallë, Komuna e Medvegjës (Kosova Lindore), është shtetas i Republikës së Kosovës dhe ka jetuar në Prishtinë që nga viti 1970.
Familja e Osman Selmanit, i cili më 1 korrik 2026 u arrestua nga policia serbe në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, u ka bërë apel organizatave ndërkombëtare dhe humanitare që të ofrojnë dokumente, dëshmi apo informacione lidhur me qëndrimin e familjes së tyre si refugjatë gjatë luftës në Kosovë.
Osman Selmani, i lindur më 12 janar 1953 në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës, sipas familjes, gjatë luftës në Kosovë u detyrua të largohej nga shtëpia bashkë me familjen.
Familja ka bërë të ditur se nga 24 maji deri më 2 qershor 1999 ka qëndruar në kampin e refugjatëve në Çegran të Gostivarit, ndërsa nga 2 deri më 20 qershor 1999 ka qëndruar në Gerçar të Komunës së Resnjës, te familja e Nexhip Bekirit.
Në apelin e tyre, familja u është drejtuar UNHCR-së, ICRC-së, IFRC-së, Kryqit të Kuq të Maqedonisë, CARE, IOM-it, UNICEF-it, WHO-së, OCHA-s, si dhe organizatave të tjera humanitare që kanë qenë të përfshira në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve gjatë vitit 1999.
“Çdo dëshmi, dokument, regjistrim apo informacion që mund të na ofroni do të jetë një ndihmë e madhe për zbardhjen e së vërtetës dhe dokumentimin e historisë së familjes sonë, veçanërisht lidhur me babain tonë, Osman Selmani”, thuhet në apelin e familjes.
Familja ka kërkuar që apeli të shpërndahet te të gjithë personat apo organizatat që mund të kenë informacione, dokumente ose dëshmi nga kampi i refugjatëve në Çegran gjatë vitit 1999.
Fotoja e bashkëngjitur, sipas familjes, është nga kampi i refugjatëve në Çegran të Gostivarit gjatë vitit 1999.