Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > FC 2 Korriku përfaqëson denjësisht Kosovën në Gothia Cup 2026; kryeqytetasit renditen në mesin e tetë skuadrave më të mira nga e gjithë bota

FC 2 Korriku përfaqëson denjësisht Kosovën në Gothia Cup 2026; kryeqytetasit renditen në mesin e tetë skuadrave më të mira nga e gjithë bota

Ekipi i 15-vjeçarëve të FC 2 Korriku nga Prishtina e ka përmbyllur me sukses një nga eksperiencat më të veçanta të karrierës së deritanishme – pjesëmarrjen në turneun më prestigjioz për njomakë në Evropë, Gothia Cup në Gothenburg të Suedisë.

1964 skuadra pjesëmarrëse nga 79 shtete pjesëmarrëse; 4,947 ndeshje të zhvilluara e 21,957 gola të shënuar; 242 skuadra garuese në grupmoshën U15 e FC 2 Korriku në mesin e 8 më të mirave nga to, me plot 7 fitore e vetëm 1 humbje me rezultat minimal (1-0).

Shqiptarët nga Kosova kësaj radhe bën krenarë kombin, përfaqësuan dinjitetshëm kulturën e traditën qindra-vjeçare shqiptare, e mbi të gjitha – treguan kulturën sportive dhe potencial të jashtëzakonshëm brenda fushës së futbollit.

8 ndeshje të zhvilluara, 7 prej tyre fitore e vetëm 1 humbje; 31 gola të shënuar, e 5 sosh të pësuar; ishin këto statistikat e ekipit të udhëhequr nga trajneri Art Rrustemi, ekip që arriti të triumfoj kundër ekipeve si: BK Skottfint (Suedi), Oppsal IF (Norvegji), Sandsbro AIK (Suedi), FC Marinhas 1 (Portugali), Marin FC (SHBA), Degerfors IF (Suedi) dhe AR Elite Academy (Angli).

Rrugëtimi një-javor i çunave nga Kosova ishte fantastik, jo vetëm për paraqitjet brenda fushës, por edhe për atë që përfaqësuan jashtë saj – konkretisht në ceremoninë hapëse zyrtare të Gothia Cup – organizim në të cilin futbollistët shqiptarë parakaluan me veshje kombëtare e tradicionale, duke “vjedhur” vëmendjen e mbi 50,000 të pranishmëve në “Ullevi Stadium”, vend ku vetëm pak muaj më parë pikërisht Kosova jonë e dashur triumfonte ndaj Suedisë në kualifikimet për Botërorin 2026. Përfaqësimi i traditës shqiptare nuk mbeti me kaq, sepse pikërisht ai parakalim bëri që FC 2 Korriku të dekorohet me çmimin “Best Outfit Award”, i dhuruar pikërisht nga juria e organizatorëve të turneut – emocion i papërshkrueshëm, krenari.

Emocionet veç sa vinin e shtoheshin, futbolli shkoi duke u bërë çdo ditë e më i bukur, por ndodhi edhe eliminimi – diçka normale në botën e futbollit – por që natyrisht se e lëndoi shumë skuadrën nga Kosova, që përkundër se u ndalë në çerek-finale, i dëshmoi botës së toka jonë ka shumë talent e potencial për të ardhmen, andaj ky lirshëm mund të themi se ishte vetëm fillimi i së ardhmes tonë të ndritur.

Tani, koha për të nderuar e falënderuar ata që e bënë të mundur realizimin e kësaj eksperience – prindërit dhe sponzorët – “binomin” fantastik që njomakëve nga Prishtina ua dhuruan mundësinë e jetës, e Kosovën e prezantuan në mënyrën e duhur në sytë e botës. Prandaj, falënderimi dhe mirënjohja shkon për prindërit dhe të gjitha kompanitë/bizneset që u bashkuan në këtë iniciativë kaq të bukur për futbollin e të rinjëve.

Falënderim edhe për të gjithë shqiptarët, bashkëkombasit tanë që jetojnë në Suedi e vendet përreth, të cilët për asnjë moment nuk hezituan të na ndihmojnë, na qëndruan afër e na dhuruan ngrohtësi përballë sfidave që na ndoqën.

Për fund, por asnjëherë nga rëndësia, meritat dhe falënderimet kryesore shkojnë për futbollistët, yjet e së ardhmes, të cilët me talentin e tyre i treguan botës se Kosova zë vend të rëndësishëm në futbollin botëror, dhe se sfidat e tilla janë vetëm forcim i karakterit të tyre dhe përgatitje për atë se çka i pret në vazhdimin e karrierës së tyre si futbollistë.

FC 2 Korriku ndihet i nderuar që pranë vetes ka njerëz të tillë, që punojnë dhe shërbejnë për të mirën e klubit dhe vendit, e për të cilët ndihet krenarë.

Gothia Cup 2026 do të mbetet përgjithmonë në zemrën tonë, por asgjë nuk mbaron me kaq, sepse vitin tjetër do të shihemi sërish…

🏆🎶 SIÇ E DO’ ZAKONI, 2 KORRIKU O’ KAMPIONI 🎶🏆