Lëvizja për Rikthim ka reaguar ndaj deklaratave të Pastorit protestant Mark Burns pas vizitës së tij në Kosovë, duke kundërshtuar pretendimet se trashëgimia ortodokse e vendit është pronë historike dhe kombëtare ekskluzive e Serbisë.
Në reagim, Lëvizja thekson se respekton lirinë fetare dhe të drejtën e Kishës Ortodokse për ushtrimin e veprimtarisë së saj, por vlerëson se kjo nuk duhet të përdoret për pretendime politike mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Sipas reagimit, monumentet ortodokse janë pjesë e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndërsa theksohet se ato nuk mund të paraqiten si pronë ekskluzive e një kombi modern. Lëvizja kërkon nga partnerët ndërkombëtarë që ta shohin historinë e Kosovës në tërësinë e saj dhe të vlerësojnë mbrojtjen që vendi u ofron monumenteve fetare dhe komuniteteve.
Në fund, Lëvizja për Rikthim rithekson se paqja dhe pajtimi mund të ndërtohen vetëm mbi të vërtetën historike dhe jo mbi, sipas saj, interpretime të njëanshme të trashëgimisë kulturore.