Një zjarr i madh përfshiu gjatë natës një lokal me muzikë live në Bangkok, duke lënë të paktën 27 të vdekur dhe 25 persona të shtruar në spital në gjendje kritike, në atë që konsiderohet zjarri më vdekjeprurës në kryeqytetin tajlandez në 17 vitet e fundit.
Fotografitë nga lokali Rong Beer Na Ladprao, në pjesën veriore të Bangkokut, tregojnë njerëz që iknin me vrap ndërsa flakët përfshinin godinën njëkatëshe dhe re të dendura tymi të zi ngriheshin në qiell. Në pamjet e realizuara pas tragjedisë shihen edhe këpucë të shpërndara gjithandej, të humbura nga pronarët e tyre gjatë përpjekjeve për t’u larguar, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Zyrtarët e qytetit të Bangkokut thanë se zjarri shpërtheu pak para mesnatës së të dielës dhe u deshën rreth 30 minuta që zjarrfikësit ta vinin nën kontroll.
Në mëngjesin e së hënës, me zbardhjen e ditës, zona ishte rrethuar nga autoritetet, ndërsa dhjetëra ekspertë të mjekësisë ligjore po kontrollonin mbetjet e djegura të objektit në kërkim të provave që do të ndihmonin në përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Dritaret e e ndërtesës që ishin me pamje nga rruga ishin shpërthyer nga forca e zjarrit, ndërsa trotuari ishte i mbuluar me mbeturina, përfshirë televizorë të djegur, altoparlantë dhe një kitarë elektrike. Nga jashtë dukej qartë përmasa e shkatërrimit përmes dritareve të thyera, ku brenda qëndronin tavolina të shkrumbuara, disa prej tyre ende me shishe bosh birre mbi to.