Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e merr çmimin për herë të dytë këtë sezon, pas muajve nëntor dhe dhjetor të përsosur.
Mikel Arteta është zgjedhur trajneri më i mirë për muajt nëntor dhe dhjetor, hera e dytë që e fiton çmimin në fjalë këtë sezon, raporton TV Arbëria.
Arteta e udhëhoqi Arsenalin drejt katër fitoreve në katër ndeshje të Premier Ligës, duke fituar ndaj Chelseat, Wolverhamptonit, Brightonit dhe West Ham United.
Këto fitore nënkuptuan që lideri i ligës të mbajë një epërsi prej shtatë pikësh në krye të tabelës në vitin 2023.
Është çmimi i katërt i trajnerit të muajit i fituar nga Arteta, i cili është në Arsenal që nga dhjetori i vitit 2019. Ai gjithashtu e mori këtë çmim në shtator të vitit 2021, mars të vitit 2022 dhe gusht të vitit 2022.
Arteta mposhti kolegët e nominuar, Thomas Frank, Eddie Howe dhe Jurgen Klopp pasi votat nga publiku u kombinuan me ato të një paneli ekspertësh.