Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusinë e kanë karakterizuar një sërë humbjes ndërkombëtare. Dhe këtu nuk është fjala vetëm te sanksionimi dhe përjashtimi i saj nga shumë forume globale, por edhe te dështimi për t’i mbrojtur disa nga regjimet e saj aleate, të cilat ishin menduar si trampolinë për projektimin gjeopolitik të Kremlinit.
Këtu vlen të kujtohet rënia e befasishme e regjimit të Bashar al Assadit, rrëzimi i Nicolas Maduro në Venezuelë dhe së fundi largimi gjithnjë e më i madh i Armenisë nga orbita ruse dhe afrimi i këtij shteti në Kaukazin Jugor me Perëndimin, pas të dështimit të Moskës për t’i ofruar mbrojtje kundër Azerbajxhan-it për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Këtë tkurrje të peshës ndërkombëtare të Rusisë në masë të madhe e ka hetuar edhe vetë Serbia. Nuk është e rastësishme se si në disa raste presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuciq ka deklaruar se për të aleati me besnik i Serbisë është Kina. Një dëshmi kjo që e njëjti e ka hetuar mirë se koncentrimi total i shtetit rus vetëm në Ukrainë i ka limituar mundësitë e Putinit për t’u përkujdesur për vendet satelite të tij. Natyrisht kjo nuk do të thotë se është eliminuar plotësisht forca kaotike e shtetit rus. Përkundrazi, ekziston rreziku që sa më pak gravitacionale të bëhet Rusia, aq me rrezikshme bëhet në rastin e dytë.
Ndërkohë, për shkak të stërzgjatje së luftës në Ukrainë, tashmë humbjet kanë filluar të ndjehen edhe brenda territorit rus. Sulmet me dronë nga Urkraina në thellësi të këtij shteti ndaj burimeve energjetike janë duke e vështirësuar dita ditës jetën e qytetarëve të zakonshëm të Rusisë. Thuhet se për të shmangur këtë krizë kohen e fundit, ky shtet është detyruar të importojë naftë dhe gaz nga India. Deri më tani sipas Instituteve të rëndësishme ndërkombëtare që merren me studimin e kësaj lufte, Rusia i ka humbur 450.000 ushtarë në terren dhe deri në 1.4 milionë të lënduar, që nënkupton 1 për qind të popullsisë totale.
Sidoqoftë, është paradoksale, se si shteti i Kosovës e ka shpërfillur thuajse shansin me ideal që i është krijuar këtë dekadën e fundit për të përmirësuar pozicionin e tij ndërkombëtar. Nëse para fillimit të asaj që Putini e quante si operacion special kundër Kievit, kjo gjë u bë shumë e vështirë, si për shkak të varësisë së BE-së nga burimet energjetike ruse, ashtu edhe projeksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbajtur Kremlinin në tavolinën e bisedimeve globale, megjithatë pas këtij sulmi brutal gjerat ndryshuan. Shembull konkret ne këtë drejtim mund te merret dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Ekzistojnë edhe raste tjera.
Prandaj, në vend të një mobilizimi të gjithanshëm diplomatik dhe politik në funksion të avancimit ndërkombëtar të shtetit, vendi ynë zgjodhi të eksperimentoj nga njëra palë zgjedhje në tjerat duke e mbajtur kështu peng vetveten. Dhe në këtë mënyrë duke i shërbyer as agjende që Rusia e synonte kundër Kosovës, por nuk kishte mundësi ta jetësonte.