Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se kthimi në punë i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb duhet të shihet si çështje me interes publik.
“Prania e tyre është thelbësore për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, qasjen e barabartë në drejtësi dhe rikthimin e besimit brenda komunitetit serb”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Por, Aleksandar Rapajiq nga Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) kujton se gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit serbë të sistemit të drejtësisë u integruan në institucionet e Kosovës në vitin 2017, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndaj edhe largimi i tyre nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 ishte rezultat i një vendimi politik.
“Shumica e tyre do të ktheheshin në punë nëse do të arrihej një marrëveshje politike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në një konferencë të organizuar nga ACDC-ja më 29 qershor, me temën “Drejtësia në veri të Kosovës: Sfidat, përfaqësimi institucional dhe perspektivat e kthimit”, u vlerësua se rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb mund të ndihmojë në rritjen e besimit të komuniteteve joshumicë në sistemin e drejtësisë.
Përfaqësuesit e komunitetit serb u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Këshilli Gjyqësor konfirmoi se e ka pranuar letrën më 19 qershor dhe se kjo çështje do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore.
Sipas tij, publiku do të njoftohet me kohë për vendimin.
Këshilli Prokurorial, në anën tjetër, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e autoriteteve në Beograd.
Punonjësit që dhanë dorëheqje, morën kontrata të përkohshme dhe vazhduan të paguhen nga buxheti i Serbisë.
Por, me kalimin e kohës, disa prej atyre që nuk mbështesnin Listën Serbe, mbetën pa këto paga dhe njëkohësisht humbën mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.
Pas krizave të shumta në veri të Kosovës, që kulmuan me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rikthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.
Edhe Lista Serbe, para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, pranoi se largimi nga institucionet e Kosovës kishte qenë gabim.