Qëndrim Kryeziu ka reaguar me akuza ndaj Qeverisë, duke pretenduar se mbi 200 biznese shqiptare në Kosovë, me rreth 10 deri në 11 mijë punëtorë, tash e dy vjet nuk po lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Përmes një postimi, ai ka thënë se, ndërkohë që sipas tij importohen mbi 200 milionë euro zall nga Serbia, bizneseve vendore nuk po u jepen lejet e nevojshme për punë.
Kryeziu ka përmendur edhe kompaninë SharrCem, duke pretenduar se asaj i është dhënë e drejta për të operuar, ndërsa bizneset vendore vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Ai ka ngritur pyetje mbi arsyet e këtij trajtimi, duke kritikuar qasjen e institucioneve ndaj bizneseve vendore dhe duke akuzuar Qeverinë për diskriminim në dhënien e lejeve.