Dardan Krasniqi ka publikuar një reagim të gjatë në Facebook drejtuar Frashër Osekut, duke shprehur kritika për ndryshimin e qëndrimeve të tij politike dhe duke kërkuar përgjigje për disa tema që, sipas tij, lidhen me deklaratat dhe veprimet e mëhershme.
“Ka njerëz që çdo ditë jetojnë me shpifje, sulme e etiketime, sepse nuk kanë argumente. Unë nuk kam nevojë të ndryshoj parimet për t’iu përshtatur askujt,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se nuk është lëkundur nga bindjet e tij dhe se, sipas tij, koha do të tregojë se kush ka qëndruar i njëjtë.
“Konsistenca ime nuk blihet me interesa, nuk shitet për poste dhe nuk thyhet nga zhurma. Fjalën, besën dhe idealin kombëtar nuk i tregtoj për asnjë interes,” thuhet në reagim.
Krasniqi ka përmendur edhe raportin e mëhershëm personal me Osekut, duke thënë se e ka respektuar si mik dhe e ka pritur në shtëpinë e tij.
“Të kam respektuar si mik, të kam nderuar me zemër të hapur. Të kam pritur në shtëpi, të kam shëtitur bashkë me familjen tënde në Ujëvarat e Mirushës dhe në Malishevën e lavdisë, jo për interes, por nga respekti dhe mikpritja shqiptare,” ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka ngritur pyetje për qëndrimet e Osekut rreth çështjeve kombëtare dhe politike, duke përmendur Çamërinë, shqiptarët në Iliridë, Kumanovën, UÇK-në, veteranët e luftës, Asociacionin, privatizimet, korrupsionin, nepotizmin dhe marrëveshjet politike.
“Nëse je ende kundër këtyre çështjeve, ku është zëri yt sot? Sepse qytetarët i mbajnë mend fjalët, qëndrimet dhe ndryshimet,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka rikujtuar edhe deklarata të mëhershme që ia atribuon Osekut, duke thënë se qëndrimet politike nuk duhet të ndryshojnë sipas interesit.
“Flamujt dhe idealet nuk janë kostume që vishen e hiqen sipas rastit. Besnikëria ndaj bindjeve provohet kur nuk ndryshon me pushtetin,” thuhet në reagim.
Në fund, Krasniqi ka theksuar se miqësia kërkon sinqeritet dhe se debatet duhet të përballen me argumente.
“Miqtë dhe shokët nuk goditen pabesisht. Respekti i vërtetë tregohet në ditët e vështira, kur duhet të thuash të vërtetën edhe atëherë kur ajo nuk të leverdis,” ka përfunduar ai.