Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Rutte nga Ankara: Aleatët e NATO-s të paraqesin plane konkrete për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Rutte nga Ankara: Aleatët e NATO-s të paraqesin plane konkrete për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, gjatë mbërritjes së tij në Ankara u bëri thirrje vendeve aleate që në samitin vjetor të paraqesin “plane të qarta, konkrete dhe të besueshme” për përmbushjen e objektivave të reja të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes.

Sipas marrëveshjes së arritur nga 32 shtetet anëtare vitin e kaluar, aleatët synojnë të investojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje. Prej kësaj, 3.5% do të dedikohet për buxhetet ushtarake, ndërsa 1.5% për infrastrukturën strategjike, si rrugët, urat dhe portet, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së shpejtë të trupave dhe pajisjeve në rast krizash ose konfliktesh.

Megjithëse Spanja e mbështeti objektivin e ri, ajo ka deklaruar se mund të përmbushë detyrimet e saj të sigurisë ndaj NATO-s edhe pa arritur nivelin e shpenzimeve prej 5% të PBB-së. Ndërkohë, disa shtete anëtare ende nuk kanë përmbushur objektivin e mëparshëm të aleancës, që parashikon investimin e 2% të PBB-së në mbrojtje.

Duke komentuar rritjen e investimeve nga aleatët evropianë dhe Kanadaja, Rutte tha se sinjalet e deritanishme janë “mbresëlënëse”. Sipas vlerësimeve të NATO-s, këto vende do të investojnë rreth 258 miliardë dollarë më shumë në mbrojtje gjatë vitit 2025 dhe këtij viti, krahasuar me nivelet e investimeve të viteve të kaluara.