Shkruan: Afrim Kasolli
Shumëkush në jetën publike me të drejtë ka konstatuar se Gjykata Speciale me seli ne Hage eshte produkt i dosjeve te fabrikuara nga shtetet armiqësore te Kosovës, në radhë të parë Serbisë dhe Rusisë.
Madje pretendimet per trafikim te organeve nuk janë asgjë tjetër pos specialitet propagandistik i shërbimeve ruse per të demonizuar deri në permasa jo humane kundërshtaret e tyre. Kështu, shpifje të tilla të orkestruara nga Moska dhe Beogradi shërbyen si material i dorës së parë për senatorin zviceran Dick Marty, i cili i kodifikoi ato në formën e rezolutës para Këshillit të Evropës. Ky fakt është potencuar edhe nga ish-ministri i Britanisë së Madhe për Evropë, Denis MacShane, kur deklaroi se “raporti i Martyt është një vegël e Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, dhe se ky raport në Këshillin e Evropës reflekton politizimin e kësaj organizate nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995”.
Megjithatë, shtrohet pyetja pse Perëndimi u tregua aq rigoroz sa i përket strukturës së kësaj gjykate hibride ndaj Kosovës? A nuk kishte rrugë tjetër për të demantuar ndërkombëtarisht shpifjet ruse dhe serbe apo me këtë ndërmarrje maskohen motive tjera?
Vetë njëri nga ekspertët më me nam në sferën e drejtësise, Geoffrey Nice në një ngjarje kushtuar punës së kësaj instanca juridike, deklaroi hapur dhe pa ekuivoke, se Gjykata Speciale “pasqyon objektiva të fshehta poltike”.
Për më shumë sipas tij ” përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, në realitet, u detyruan ta pranonin këtë gjykatë nën presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”. Ndër të tjera Nice ka pohuar, se ka qenë “dëshmitar i drejtpërdrejtë se Statuti i Dhomave të Specializuara nuk ishte, në asnjë kuptim domethënës, rezultat i një marrëveshjeje me Kosovën. Sapo negociatorët evropianë u përballën me kundërshtime thelbësore nga pala kosovare ndaj draft-statutit, diskutimet praktikisht u ndërprenë. Ajo që pasoi, sipas përvojës sime, ishte imponimi politik i një statuti të hartuar paraprakisht, i formësuar ekskluzivisht nga aktorët e BE-së dhe SHBA-së”.
Pra nëse Serbia dhe Rusia u dalluan sa i përket shpifjeve te tyre, infrastruktura ligjore e Gjykatës Speciale ishte kryekëput presion i vendeve të Perëndimit ndaj Kosovës. Sepse dy shtetet armiqësore nuk kishin mundësi të ndikonin mbi vendin tonë në këtë drejtim. Dhe janë pikërisht anomali të kësaj natyre qe tashmë janë evidentuar edhe nga një raport profesional britanik.
Për më shumë, të gjithëve na kujtohet se si në dhjetor të vitit 2917 me çfarë ashpërsie patën reaguar, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe ndaj përpjekjeve të Kuvendit të Kosovës për t’a shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara.
Ish ambasadori amerikan, Greg Delawie, atëbotë kishte deklaruar se një tentim i tillë paraqet një thikë pas shpine ndaj Uashingtonit nga ana Prishtinës.
Kurse, ish-ambasadori britanik Ruairi O’Connell, pat deklaruar ajo kishte qene nata më të rrezikshme për Kosovën, që prej luftës. Pra për këtë diplomat perëndimor, ky tentim legal i përfaqësueseve të popullit të Kosovës ishte edhe me i rrezikshëm sesa nata e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 200 kur në veri të Mitrovicës “rojet e urës” vranë 10 shqiptare në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq si dhe dëbuan qindra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Dhe po ashtu ishte intervenimi i të njëjtëve ambasadore të cilët ndikuan për ta bërë bashkë Lëvizjen Vetëvendosje, LDK dhe Listën Serbe për të pamundësuar kuorumin për seancën në fjalë.
Ndërkohë, shumë paqartësi e kanë shoqëruar edhe një përpjekje tjetër diplomatike për t’a ndryshuar karakterin juridik të kësaj gjykate.
Richard Grenell, ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë të mëhershme kishte pohuar se në kuadër të Marrëveshjes se Uashingtonit ka ekzistuar skenari për mbylljen e Gjykatës Speciale në Hagë, ku ndjekja penale për ata që po akuzoheshin do të kryhej nga vendet respektive. Çdo pretendim për krime nga shqiptarët do të ndiqej në Kosovë, kurse për ato serbe në Serbi.
Madje, sipas diplomatit amerikan ky pajtim e nxiti Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorin Jack Smith, ta shqiptonte aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, me qëllim që t’i minonte këto përpjekje. Për çka edhe ish presidenti- u detyrua që në mes të rrugës për në Uashington të kthehej në shtëpi. Dhe këtu është shumë e besueshme se ky komplet erdhi nga brenda SHBA-ve, sepse askush tjetër nuk do ta kishte atë guxim që t’i sabotonte përpjekjet diplomatike të presidentit Trump.
Në këtë kontekst, shihet qartë se forma, përmbajtja dhe mënyra e operimit juridik dhe politik të Dhomave të Specializuara në masë të madhe është investim i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ky detyrim i Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë për ta miratuar një monstrum të tillë juridik a kishte të bënte me përpjekjet e tyre për ta rehabilituar Serbinë si pjesë e joshjes në orbitën e tyre në kurriz të historisë më të re tragjike të Kosovës, apo me motive tjera “meta-politike” mbetet një “egime sfinksi”. Dhe siç dihet nga trashëgimia antike pesha e krijesave të tilla mitike është jashtëzakonisht gllabëruese për aq kohë sa nuk zgjidhet misteri që i shoqëron.
Një gjë nuk mund mohohet, se në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra që nga koha kur fantazma e kësaj gjykate filloi të rëndonte mbi vendin tonë. Megjithatë, siç ka vënë në pah Hegeli, mbase te vërtetën historike deri dikund mund ta kuptojmë vetëm në muzg, atëherë kur të kenë pushuar aksionet e atyre që ishin të përfshirë me qëllim apo pa qëllim në inicimin e proceseve politike.