Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2025, duke identifikuar një sërë parregullsish financiare dhe ligjore që lidhen me menaxhimin e buxhetit, pagesat për Policinë e Kosovës, prokurimin publik dhe administrimin e stafit.
Raporti evidenton se MPB-ja ka keqklasifikuar mbi 10 milionë euro shpenzime, ka mbivlerësuar detyrimet kontingjente me mbi 2.7 milionë euro, ndërsa janë konstatuar edhe pagesa të padrejta për zyrtarë policorë të suspenduar dhe punonjës që nuk kishin vijueshmëri në punë.
Mbi 10 milionë euro u regjistruan në kategori të gabuar
Një nga gjetjet kryesore të auditorit lidhet me mënyrën e regjistrimit të shpenzimeve.
Sipas raportit, MPB-ja ka ekzekutuar pagesa në vlerë prej 12.56 milionë eurosh, kryesisht për paga të policëve të fituara përmes vendimeve gjyqësore. Megjithatë, nga kjo shumë, 10.065.651 euro janë regjistruar si investime kapitale, ndonëse në realitet bëhej fjalë për pagesa pagash dhe obligime të lidhura me to.
Përveç kësaj:
- 2.31 milionë euro janë regjistruar si mallra dhe shërbime;
- 185 mijë euro si subvencione dhe transfere.
Auditori vlerëson se kjo ka shtrembëruar pasqyrimin e shpenzimeve reale të ministrisë dhe ka ndikuar në prezantimin jo të saktë të buxhetit.