Shkruan: Agron Hoti
A do të jetë dorëheqja e Vuçiçit një tërheqje e vërtetë nga politika, pas më shumë se 18 muajsh protestash dhe presioni të brendshëm, si dhe pas dështimit për të zhvilluar takimin e shumëpritur me Donald Trump gjatë vizitës së tij në SHBA?
Apo, meqë kushtetuta nuk i lejon një mandat tjetër presidencial, kemi të bëjmë me një manovër politike: rikthimin e tij në postin e kryeministrit dhe vendosjen e një presidenti kukull, për të ruajtur kontrollin mbi pushtetin dhe për të vazhduar politikën e tij në Serbi?
A po mos vallë fati politik i Vuçiçit lidhet edhe me epilogun e Gjykatës Speciale, të cilën Rusia dhe Serbia e kërkonin si parakusht për t’u ulur në tavolinë të bisedimeve me Kosovën në dialogun e Brukselit. Një gjë dihet: ngritja e Vuçiçit në pushtet përkon pothuajse me periudhën kur u hodhën themelet e kësaj gjykate.
Kishte një kronologji politike që flet për këtë:
– në janar 2011 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi Raportin e Dick Marty-t;
– në mars 2011 filloi dialogu Kosovë–Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian;
– në korrik 2012 Vuçiçi u bë zëvendëskryeministër;
– në prill 2014 kryeministër;
– në qershor 2014 Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme dhe nga ajo kohë kriza shkon duke u thelluar;
– në gusht 2015 Kuvendi i Kosovës miraton Gjykatën Speciale;
– në maj 2017 Vuçiçi mori detyrën e presidentit, të cilën e ushtron edhe sot;
– ndërsa deri në 2020 propaganda kundër Krerëve të UÇK-së shkonte duke u bërë gjithnjë e më brutale për t’i delegjitimuar sa më shumë dhe për t’ua ulur në minimum përkrahjen qytetare si parakusht për të parandaluar ndonjë destabilizim të mundshëm të Kosovës në momentin e dërgimit të tyre në Hagë.
Është një fakt se, që nga viti 2012, Vuçiçi ka konsoliduar pushtetin në Serbi. Në të njëjtën periudhë, udhëheqësit politikë të Kosovës, veçanërisht Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, u përballën me proceset që kulmuan me aktakuzat e Gjykatës Speciale. Kjo mjerisht krijoi një perceptim të një balancimi politik dhe moral ndërmjet krimeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe akuzave të ngritura ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Prandaj, nëse vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale do të jetë lirues për krerët e UÇK-së, ai do të jetë goditje serioze për narrativën politike të Serbisë lidhur me luftën në Kosovë. Një epilog i tillë do ta dobësonte edhe pozicionin politik të Vuçiçit, i cili karrierën e tij e ndërtoi si pjesë e aparatit politik të Sllobodan Millosheviqit dhe më pas, si lider i Serbisë, ka promovuar vazhdimisht narrativën për përgjegjësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse dorëheqja e Vuçiçit do të jetë një largim i vërtetë nga politika apo vetëm një lëvizje taktike për të ruajtur ndikimin dhe kontrollin mbi pushtetin.