Shkruan: Agron Hoti
Në tetor 2009, Serbia nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë, e cila çoi në hapjen, në prill 2012, të Qendrës ‘Humanitare’ Ruso-Serbe në Nish. Kjo qendër nuk ka pasur fare karakter humanitar, por ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë edhe sot si instrument i ndikimit strategjik rus në Ballkanin Perëndimor. Synimi i saj vazhdon të mbetet forcimi i pozitës së Serbisë në rajon dhe zgjerimi i ndikimit rus në një hapësirë ku SHBA-ja dhe NATO kishin fituar terren pas luftërave të viteve të 90-ta.
Pothuajse në të njëjtën periudhë, në prill 2010, Rusia nisi ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 1 drejt Gjermanisë. Me Vladimir Putinin që tashmë nga 2000-2010 kishte konsoliduar pushtetin në Rusi, energjia u shndërrua në instrumentin kryesor të ndikimit gjeopolitik ndaj Evropës. Varësia nga gazi rus i krijonte Moskës një levë të rëndësishme politike në raport me shtetet evropiane.
Në këtë kontekst gjeopolitik Kosova fitoi një rëndësi të veçantë strategjike. Ndërtimi i autostradave Prishtinë–Morinë dhe Prishtinë–Shkup shihej si pjesë e një vizioni më të gjerë të lidhjes së Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke forcuar korridoret infrastrukturore dhe të sigurisë në përputhje me interesat amerikane në rajon.
Në linjë me projeksionet amerikane, më 12 prill 2010, Fatmir Limaj nënshkroi kontratën me Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës Prishtinë–Morinë. Vetëm pak javë më vonë, më 28 prill, EULEX zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij. Këto zhvillime nuk ishin thjesht procedura juridike, por pjesë e një përplasjeje më të gjerë politike rreth orientimit strategjik të Kosovës. Akuzat për korrupsion u përdorën si mjet për të delegjitimuar projektet infrastrukturore që konsideroheshin të rëndësishme për lidhjen e Kosovës me aleatët e saj.
Më 16 dhjetor 2010, raporti i Dick Marty në Këshillin e Evropës hapi një kapitull të ri politik. Ky raport pati si pasojë dobësimin e strukturës politike të dalë nga UÇK-ja dhe krijimin e kushteve për ngritjen e Gjykatës Speciale. Ky proces ndikoi drejtpërdrejt në paralizimin e vendimmarrjes politike në Kosovë dhe në zbehjen e kapaciteteve shtetformuese. Kosova sot është paralizuar politikisht dhe ekonomikisht.
Në të njëjtën kohë në hapësirën publike shqiptare u ndërtua një frymë e fortë kundër Krerëve të UÇK-së. Çdo sukses i Kosovës – nga çlirimi e deri te ndërtimi i institucioneve – interpretohej si dështim, ndërsa figurat kryesore të UÇK-së përballeshin me një fushatë brutale vendore dhe ndërkombëtare të vazhdueshme delegjitimimi. Kjo frymë, u përhap edhe në diasporë dhe ndikoi në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën.
Ndërkohë, ndikimi rus në Evropë vazhdoi të zgjerohej deri në agresionin kundër Ukrainës në shkurt 2022. Vetëm atëherë shumë shtete evropiane e kuptuan se varësia nga energjia ruse kishte një kosto strategjike shumë më të madhe sesa përfitimi ekonomik afatshkurtër.
Megjithatë, rezistenca ndaj investimeve strategjike amerikane në hapësirën shqiptare nuk ka pushuar. Tkurrja e konkurrueshmërisë ekonomike e Evropës ka shtuar rivalitetin ndaj projekteve amerikane në rajon. Ndaj, paralizimi politik i Kosovës, defaktorizimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, vazhdimësia e Gjykatës Speciale dhe debatet e protestat kundër investimeve strategjike në Shqipëri shihen si pjesë e një zhvillimi më të gjerë gjeopolitik, ku përplasen interesat amerikane, evropiane dhe ruse në Ballkan.
Nëse ngjarjet e viteve 2010–2015 shihen si një përplasje gjeopolitike mes amerikaneve dhe evropianëve (të nxisur nga Rusia) për orientimin strategjik të Kosovës, atëherë pyetja që shtrohet sot është nëse një logjikë e ngjashme po shfaqet edhe në Shqipëri. Ashtu si Fatmir Limaj u shndërrua në simbolin rezistues kundër një beteje evropiano-ruse (antiamerikane) që synonte të frenonte projektet infrastrukturore dhe strategjike të mbështetura nga amerikanët, edhe kundërshtimet e sotme ndaj investimeve amerikane në Shqipëri mund të interpretohen si pjesë e së njëjtës garë për ndikim në Ballkan.
Nëse atëherë u tentua të kurbanizohej Fatmir Limaj për të bllokuar një vizion strategjik proamerikan, sot lind dilema nëse po tentohet të kurbanizohet vetë Shqipëria, duke penguar projekte që mund ta forcojnë pozitën e saj ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike. Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë, por shpesh ndjek të njëjtën logjikë: fillimisht goditen projektet strategjike, më pas njerëzit që i mbështesin dhe, në fund, dobësohet pozicioni strategjik i shtetit apo një kombi të tërë.