Bekim Haxhiu ka kritikuar PZAP-në dhe Gjykatën Supreme, duke thënë se procesit të certifikimit të rezultateve zgjedhore po i jepet përparësi shpejtësisë në vend të saktësisë.
Haxhiu deklaroi se ankesat e tij dhe të kandidatit Qëndrim Kryeziu janë refuzuar brenda pak orësh, pavarësisht, sipas tij, parregullsive të evidentuara gjatë rinumërimit të votave. Ai theksoi se kur diferenca është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe duhet të numërohet me saktësi.
Sipas Haxhiut, legjitimiteti i zgjedhjeve ndërtohet mbi transparencën dhe besimin e qytetarëve, duke shtuar se “demokracia mbrohet me transparencë dhe saktësi, jo me nxitim”.