Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Partitë për vota i hapën dyert dreqit e t’birit

Partitë për vota i hapën dyert dreqit e t’birit

SHKRUAN: AGRON HOTI
Partitë politike në të gjitha trojet shqiptare, të verbuara nga etja për pushtet dhe vota, nuk lanë derë pa hapur e as kompromis pa bërë. Për një grusht votash, ato pranuan në gjirin e tyre njerëz me bindje, interesa dhe agjenda që shpesh nuk kishin asgjë të përbashkët me interesin kombëtar shqiptar. Në ethet e pushtetit, harruan një të vërtetë të hidhur: masat subversive kundër një populli nuk japin rezultat brenda natës; ato mbillen me durim dhe duhen të paktën dy dekada për të filluar të prodhojnë efektet e para të ç’orientimit, përçarjes dhe paralizimit të një shoqërie.
Sot, pas më shumë se 20 vitesh, po korrim pikërisht atë që është mbjellë. Të njëjtët aktorë politikë që mbajnë pushtetin dhe opozitën në shumicën e trojeve shqiptare bashkëpunuan me këdo që u sillte vota, pa e vrarë mendjen se një ditë këta njerëz do të shtriheshin thellë në institucionet shtetërore, në shoqërinë civile, në media, në sistemin arsimor, në organizatat fetare, në kulturë, në sport dhe në çdo pore të jetës publike. Sot ata janë aty, të ngulitur si rrënjë të kalbura brenda trungut të trojeve shqiptare.
Paralizimi i Kosovës gjatë 5-6 viteve të fundit ishte vetëm sinjali i parë alarmues. Pas saj, pasojat u reflektuan te shqiptarët e Luginës së Preshevës, më pas te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot simptomat e të njëjtës sëmundje politike dhe shoqërore po shfaqen hapur edhe në Shqipëri. Kjo nuk është rastësi. Për më shumë se dy dekada, kundërshtarët strategjikë të shqiptarëve — me Rusinë në krye dhe të mbështetur nga qarqe të ndryshme evropiane e orientale — kanë investuar masivisht në dobësimin e faktorit shqiptar, në krijimin e përçarjeve të brendshme dhe në ushqimin e një fryme antiamerikane në trojet shqiptare dhe në diasporë.
Sot po shohim pasojat. Refuzimi i iniciativave, projekteve dhe investimeve amerikane në Kosovë, Shqipëri dhe madje në segmente të diasporës nuk është më fenomen i izoluar. Është bërë pjesë e një tendence shqetësuese. Aq shqetësuese, sa që vetë zyrtarë dhe diplomatë amerikanë e kanë ngritur publikisht alarmin disa herë.
Qëllimi i kësaj strategjie nuk është thjesht vetëm paralizimi i trojeve shqiptare. Synimi është shumë më i thellë: lodhja, shpopullimi dhe demoralizimi i shqiptarëve deri në pikën kur ata të fillojnë ta shohin SHBA-në si fajtore për dështimet e tyre. Armiqtë e shqiptarëve e dinë se pa mbështetjen amerikane, pozicioni i kombit shqiptar në Ballkan do të ishte shumë më i brishtë. Prandaj synimi kryesor është prishja e kësaj lidhjeje strategjike.
Duam apo nuk duam ta pranojmë, faktorizimi real i shqiptarëve në politikën ndërkombëtare filloi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe mori dimension krejt tjetër me pavarësinë e Kosovës. Nga viti 1912 deri në vitin 2026, asnjë fuqi nuk ka kontribuar më shumë në mbrojtjen, fuqizimin dhe afirmimin e çështjes shqiptare sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht për këtë arsye, kundërshtarët e shqiptarëve e kanë përqendruar luftën e tyre në dobësimin e këtij partneriteti.
Mjafton të shikohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, raportet mes Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, apo lidhjet gjithnjë e më të zbehta me diasporën. Niveli i mosbesimit, përçarjes dhe tensioneve është ndër më të lartët që kemi njohur ndonjëherë. Këto zhvillime nuk janë produkte të rastësisë. Ato janë rezultat i proceseve të gjata që janë ushqyer me vite.
Kush do ta kishte besuar para 25 vitesh se në trojet shqiptare do të kishte politika, protesta dhe lëvizje që do të kundërshtonin hapur politikat apo investimet amerikane? Kush do ta kishte imagjinuar se sponsorit kryesor të mbijetesës dhe fuqizimit të shqiptarëve do t’i kthehej shpina në emër të ideologjive, interesave apo ndikimeve të tjera? Megjithatë, pikërisht aty kemi mbërritur.
Në vend që të forcojmë aleancën strategjike me Perëndimin dhe SHBA-në, po krijohen rryma që e relativizojnë, e sulmojnë ose e sabotojnë atë. Kjo është pasoja e drejtpërdrejtë e një “deep state”-i të ndërtuar ndër vite brenda institucioneve, mediave, organizatave dhe strukturave të ndryshme shoqërore. Një mekanizëm i heshtur që nuk sulmon domosdoshmërisht me armë, por me propagandë, ç’orientim dhe manipulim.
Sepse kur partitë politike nuk vendosin filtra dhe standarde për njerëzit që fusin në strukturat e tyre, këta njerëz me kalimin e kohës shndërrohen në qendra ndikimi, pastaj në rrjete dhe më pas në struktura të padukshme pushteti që veprojnë përtej institucioneve formale. Në atë moment, shoqëria fillon të paralizohet nga brenda.
Ne vazhdojmë të vetëquhemi populli më proamerikan në Evropë. Por nëse sot do të organizohej një referendum mes orientimit perëndimor dhe atij lindor, nuk jam më i sigurt se rezultati do të ishte aq i qartë sa dikur. Përkundrazi, ka gjithnjë e më shumë shenja se pesha e propagandës lindore po fiton terren. Kjo është prova se masat subversive të mbjella dekada më parë kanë filluar të japin frytet e tyre.
Shumë parti politike në trojet shqiptare janë të mbushura me individë që, pavarësisht deklaratave publike, e shohin Lindjen si alternativë më të pranueshme se Perëndimin. Ata maskohen, përshtaten dhe kamuflohen sipas rrethanave, por orientimi i tyre real shpesh del në sipërfaqe kur vjen momenti i vendimeve strategjike.
Prandaj, ajo që po përjetojmë sot nuk lindi dje. Është korrja e farës së hedhur para 20-25 vitesh. Për dekada u mbollën oportunizmi, mungesa e filtrit, servilizmi politik dhe kompromiset pa parime. Sot po korrim pasojat: përçarje, mosbesim, paralizë institucionale, shpopullim dhe humbje të orientimit strategjik kombëtar.