Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Zijahudin Elezi ngre çështjen e studentëve shqiptarë të RMV-së në Parlamentin Europian

Zijahudin Elezi ngre çështjen e studentëve shqiptarë të RMV-së në Parlamentin Europian

Studenti dhe aktivisti shqiptar, Zijahudin Elezi, ka bërë të ditur se prej muajsh studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë të drejtën për ta dhënë provimin shtetëror në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një kërkesë të drejtë dhe në përputhje me statusin kushtetues të gjuhës shqipe në vend.

Sipas Elezit, së bashku me Rinor Bugujevcin, kryetar i Klubit të të Rinjve Shqiptarë në Kroaci, kanë vendosur ta ngrejnë këtë çështje edhe në Parlamentin Europian.

Ai ka bërë të ditur se në letrën drejtuar eurodeputetit kroat, Davor Ivo Stier, janë paraqitur të gjitha shqetësimet me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Ne, të bashkuar, nga çdo cep i botës, gjithmonë do të punojmë që zëri i shqiptarëve të jehojë në çdo institucion ndërkombëtar”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka shtuar se studentët dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të anashkalohen nga politika, por nuk mund të heshten në përpjekjet e tyre për të fituar të drejtat që u takojnë.