Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 70 mijë euro për shtypjen e një libri mbi Masakrën e Reçakut të paraqitura nga perspektiva e ambasadorit William Walker.
Por, për këtë nuk është pajtuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi kur kryeministri Kurti hodhi në votim këtë ndarje të mjeteve.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se ky libër po financohet për shkak të peshës historike që ka.
“Këtë të diel bëhen 24 vite nga Masakra e Reçakut që tmerroi dhe tronditi Kosovën, por edhe e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim-vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të memoareve të ambasadorit William Walker dhe të Masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarje. Libri do të përshkruajë ngjarjet e ndërlidhura me Masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i ambasadorit Walker të treguara nga perspektiva e tij personale si shef i misionit verifikues të OSBE-së”, tha ai.
/TV Arbëria