Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qëndrim Kryeziu: PZAP do të ketë punë me hajnat, nuk do të lejoj të tjetërsohet vullneti i qytetarëve

Qëndrim Kryeziu: PZAP do të ketë punë me hajnat, nuk do të lejoj të tjetërsohet vullneti i qytetarëve

Pas kërkesës për rinumërimin e votave, kandidati për deputet, Qëndrim Kryeziu, ka deklaruar se ka pranuar qindra mesazhe mbështetëse nga qytetarë që pretendojnë se i kanë dhënë votën e tyre në zgjedhje.

Sipas Kryeziut, qytetarët po kërkojnë vetëm respektimin e një parimi themelor të demokracisë – që vullneti i tyre politik të mos tjetërsohet.

“Pas kërkesës për rinumërim të votave, më kanë ardhur qindra mesazhe mbështetëse nga qytetarët që thonë se më kanë votuar. Ata po kërkojnë një gjë më elementare të demokracisë, të mos u vidhet vullneti politik”, ka deklaruar ai.

Kryeziu ka theksuar se do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë për të mbrojtur votën e qytetarëve dhe për të adresuar çdo parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor.

“Ju them me guxim të gjithë votuesve, veçanërisht atyre që dhanë votën për mua, se do të përdor çdo mekanizëm ligjor për të çuar në vend votën tuaj. Nuk do ta kursej askënd që ka prekur vullnetin tuaj politik për motive të ulëta dhe joligjore”, është shprehur ai.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshuar të manipulimit apo vjedhjes së votës, duke paralajmëruar se çështja do të ndiqet në institucionet përgjegjëse.

“Të bëhemi bashkë për të raportuar çdo vjedhje të votës. PZAP do të ketë punë me hajnat. Aty ku vidhet vota, shembet demokracia”, ka përfunduar Kryeziu.