Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të projektit të gazit amerikan nga Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me interesat strategjike të vendit.
Sipas Kryeziut, refuzimi i projektit për integrimin në rrjetin e gazit amerikan LNG i ka mohuar Kosovës një mundësi të rëndësishme për diversifikimin e burimeve energjetike, forcimin e sigurisë energjetike dhe thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai thekson se në dokumentet zyrtare është propozuar gazifikimi i linjitit si alternativë, por vlerëson se një projekt i tillë do të ishte i realizueshëm vetëm nëse Kosova do të lidhej me rrjetin e gazit amerikan LNG.
“Kosova, duke refuzuar gazin amerikan, mbetet thellësisht e varur nga importet nga Serbia, një varësi e rrezikshme si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar Kryeziu.
Sipas tij, ky vendim cenon drejtpërdrejt sigurinë energjetike të vendit dhe dobëson pozicionin e Kosovës në kuadër të arkitekturës së sigurisë perëndimore.
Kryeziu ka bërë thirrje për rishikimin e këtij qëndrimi dhe për gjetjen e zgjidhjeve strategjike që, sipas tij, forcojnë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe lidhjet me partnerët perëndimorë.
“Koha për të korrigjuar këtë gabim është tani”, ka përfunduar ai.