Afrim Jakupi ka reaguar publikisht lidhur me procesin e numërimit të votave, duke shprehur shqetësime për rezultatin e kandidatit për deputet, Qëndrim Kryeziu.
Sipas Jakupit, ai dhe familja e tij, si dhe shumë mbështetës të tjerë, kanë votuar me bindje për Kryeziun, por rezultatet e publikuara nuk përputhen me informacionet që, sipas tij, janë konfirmuar nga terreni.
Ai pretendon se mbështetës nga komuna e Shtimës, Reçakut dhe Ferizajt i kanë konfirmuar se vetëm nga rrethi i tyre ka pasur mbi 45 vota të sigurta për Qëndrim Kryeziun, ndërsa rezultatet zyrtare nuk reflektojnë këtë mbështetje.
Jakupi ka bërë të ditur gjithashtu se do të publikojë dy fotografi të fletëvotimeve të ardhura nga diaspora, për të cilat votuesit, sipas tij, kanë konfirmuar votën e tyre për Kryeziun. Ai ka ngritur pyetjen se ku kanë përfunduar këto vota dhe nëse ato janë regjistruar në mënyrën e duhur.
Në reagimin e tij, Jakupi shpreh dyshime për manipulim të votave të diasporës dhe kërkon transparencë të plotë në proces, duke propozuar rinumërim total të votave dhe hetim të pretendimeve të ngritura.
“Ky nuk është thjesht një reagim politik, por një detyrim ndaj të vërtetës dhe vullnetit të qytetarëve tanë, i cili po tjetërsohet në mënyrë të pashpjegueshme”, thuhet në reagimin e Afrim Jakupit.