Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e prodhojnë qeveritë me vetëdije dobësimin e arsimit për përfitime elektorale?

A po e prodhojnë qeveritë me vetëdije dobësimin e arsimit për përfitime elektorale?

Shkruan: Basri Beka 

Ngjarja e fundit, ku pyetjet e Testit të Maturës u shpërndanë në rrjete sociale vetëm pak minuta pas fillimit të testit, nuk është thjesht një skandal i radhës. Ajo është simptomë e një problemi shumë më të madh që po e përcjell arsimin në Kosovë prej më shumë se dy dekadash.
Prandaj shtroj një pyetje që mund të tingëllojë e rëndë, por që meriton debat publik: A është niveli i ulët i arsimit në Kosovë rezultat i paaftësisë, apo i një politike të qëllimshme elektorale?
Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ndodhi një licencim i hovshëm i kolegjeve private. Numri i tyre u rrit me shpejtësi, por jo edhe cilësia. Shumica nuk kishin kapacitete akademike, staf të mjaftueshëm apo standarde që do të garantonin formimin e kuadrove cilësore.
Periudha 2008–2017 solli një valë tjetër: hapjen e universiteteve publike. Në vend që të profilizoheshin sipas nevojave të tregut dhe të ngrinin standardet akademike, ato shpesh u shndërruan në mekanizma të prodhimit masiv të diplomave. Numri u rrit, por cilësia vazhdoi të bjerë.
Nga viti 2020 deri në vitin 2026, pavarësisht investimeve dhe faktit se infrastruktura shkollore tashmë ishte kryesisht e kompletuar, Kosova po përballet me një nga periudhat më shqetësuese për sa i përket cilësisë së arsimit. Rezultatet e nxënësve, fenomenet e kopjimit, mungesa e llogaridhënies dhe rënia e standardeve po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Kjo më shtyn të ngre një dilemë legjitime: mos vallë politika e ka më të leverdishme të ketë sa më shumë nxënës e studentë në numër, por sa më pak cilësi?
Një qytetar me arsim cilësor zhvillon mendim kritik. Ai pyet, analizon, krahason, sfidon dhe kërkon llogari. Një qytetar pa këtë formim ka më shumë gjasa të ndjekë turmën, të pranojë propagandën dhe të votojë sipas emocioneve ose interesave momentale.
Historia na mëson se turmat mund të shkojnë edhe drejt humnerës, nëse askush nuk i sfidon me argumente dhe dije.
Nuk po pretendoj se ekziston një plan i organizuar për ta dobësuar arsimin. Por kur për më shumë se 20 vjet ndryshojnë qeveritë, ndryshojnë partitë, ndryshojnë ministrat, ndërsa rezultati mbetet i njëjtë ose edhe më i keq, atëherë lind e drejta për të pyetur: a është kjo vetëm dështim, apo është një gjendje që në heshtje u shërben interesave elektorale të klasës politike?
Shpërndarja e pyetjeve të maturës vetëm pak minuta pas fillimit të testit nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është se ajo tregon se sistemi po humb aftësinë për të mbrojtur meritën, dijen dhe ndershmërinë akademike.
Pa arsim cilësor nuk ka ekonomi konkurruese, nuk ka institucione të forta dhe nuk ka demokraci funksionale. Prandaj debati nuk duhet të jetë vetëm se kush i publikoi pyetjet e maturës, por pse pas më shumë se dy dekadash ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem arsimor që prodhon dije, përgjegjësi dhe mendim kritik.