Dardan Krasniqi ka përkujtuar dëshmorin Baci Imer (1958-1998) në 27-vjetorin e rënies së tij, duke ndarë kujtime emocionuese nga dita kur ai ra në altarin e lirisë.
Përmes një postimi, Krasniqi ka bërë të ditur se së bashku me shokët e luftës, familjarë dhe miq kanë bërë homazhe në vendin e rënies së dëshmorit, në shkollën që mban emrin e tij si dhe te varrezat e dëshmorëve, ku ai prehet në përjetësi pranë bashkëluftëtarëve të tij.
Duke rikujtuar natën e 15 qershorit 1998 në Malishevë, Krasniqi ka përshkruar momentin kur po qëndronte roje nderi pranë trupit të Baci Imerit.
“Kur e shpalosa flamurin kombëtar mbi trupin tënd, ti qëndroje drejt si Mic Sokoli. Sytë menjëherë më ndalën te plaga në ballë, plagë që nuk tregonte humbje, por krenari. Ajo ishte vula e sakrificës për liri, dëshmi se kishe rënë me fytyrë nga armiku dhe me zemër drejt atdheut”, ka shkruar ai.
Krasniqi theksoi se në atë moment ishte betuar se emri dhe vepra e dëshmorit nuk do të harroheshin kurrë, duke shtuar se dëshmorët nuk vdesin, por bëhen dritë që ndriçon rrugën e kombit.
Në fund të mesazhit të tij, ai ka shprehur nderimin e përjetshëm për dëshmorin me fjalët: “Lavdi e përjetshme!”.