Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Afrim Kasolli: Diskursi për pagat e politikanëve dhe kontrasti mes premtimeve dhe praktikës

Afrim Kasolli: Diskursi për pagat e politikanëve dhe kontrasti mes premtimeve dhe praktikës

Sipas analistit Afrim Kasolli, një ndër temat që dikur kishte zënë vend të rëndësishëm në diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje ishte çështja e pagave të larta të përfaqësuesve politikë. Në atë kohë, kjo retorikë lidhej me kritikën ndaj “ish-regjimit të vjetër”, duke argumentuar se deputetët, ministrat dhe zyrtarët e lartë ishin shkëputur nga realiteti i qytetarëve që, sipas tyre, jetonin në kushte të vështira ekonomike.

Kasolli thekson se, në atë narrativë politike, kjo shtresë ishte shndërruar në një “klasë më vete”, e cila kishte humbur lidhjen me shoqërinë. Megjithatë, sipas tij, me ardhjen në pushtet nuk ndodhi ulja e privilegjeve të kritikuara më herët, por përkundrazi u shtuan, përfshirë edhe rritjen e stafit mbështetës të deputetëve përmes asistentëve dhe pozicioneve të tjera administrative.

Si kontrast, Kasolli sjell shembullin e Hungarisë, ku kryeministri Viktor Orbán, sipas tij, ndër vendimet e para në qeverisje ka iniciuar uljen e pagave të deputetëve, me arsyetimin se në kohë vështirësish ekonomike, barrën e kursimeve duhet ta fillojnë vetë përfaqësuesit politikë.

Po ashtu, ai përmend edhe rastin e deputetëve të opozitës në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë pasur mundësinë të refuzojnë pagesën e “pagës së 13-të”, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke rënë – siç shprehet Kasolli – “pre e mekanizmave të pushtetit”, që synojnë zbehjen e çdo alternative morale dhe politike ndaj tij.