Shkruan: Bedri Halimi
Nuk është hera e parë në historinë tonë që njerëzit e sakrificës sulmohen nga njerëz pa ndërgjegje njerëzore e pa vetëdije kombëtare.
Nuk është hera e parë që ata që nuk kanë dhënë asgjë për lirinë, përpiqen të zhvlerësojnë ata që dhanë gjithçka.
Por është e dhimbshme kur kjo ndodh në Kosovën e lirë.
Është e dhimbshme kur shënjestër bëhen familjet që paguan çmimin më të lartë të lirisë.
Është e dhimbshme kur fyerjet drejtohen kundër njerëzve që nuk kërkojnë pushtet, nuk kërkojnë privilegje, nuk kërkojnë favore, por mbajnë mbi supe barrën e rëndë të kujtesës kombëtare.
Sot disa njerëz e kanë marrë përsipër rolin e gjykatësit suprem të patriotizmit.
Pa e pyetur vetën kush ishin dje, dhe kush janë sot.
Pa e pyetur vetën se çfarë kontributi kanë dhënë ata përsonalisht apo edhe pjestarët e familjes së tyre për çeshtjen kombëtare.
Pa e shikuar vetën në pasqyrë.
Ata e matin atdhedashurinë sipas bindjeve partiake të tyre.
Ata vendosin kush duhet respektuar dhe kush duhet sharë.
Ata gjykojnë se kujt duhet t’i japësh dorën dhe kujt jo.
Madje arrijnë deri aty sa të sulmojnë një njeri pse merr pjesë në një dasmë apo pse shkon në një ceremoni mortore.
Çfarë mjerimi politik!
Çfarë varfërie shpirtërore!
Në vend që të shqetësohen për problemet e qytetarëve, me papunësinë, me varfërinë, me korrupsionin dhe me ikjen masive të rinisë, ata apo ato merren me fotografi, me përshëndetje, me takime njerëzore dhe me gjëra që nuk do të duhej të ishin temë e askujt.
Por problemi më i madh nuk janë ata.
Problemi më i madh është heshtja.
Gjithmonë në histori, e keqja nuk ka triumfuar vetëm për shkak të agresivitetit të saj.
Ajo ka triumfuar edhe për shkak të heshtjes së atyre që duhej të flisnin.
Prandaj pyetja shtrohet natyrshëm:
Pse nuk reagon partia?
Pse nuk vendos kufij?
Pse nuk distancohet?
Pse nuk i largon nga radhët e veta ata që ushqehen me përçarje?
Mos vallë sepse kjo gjuhë i leverdis?
Mos vallë sepse urrejtja prodhon duartrokitje në qarqe të caktuara?
Mos vallë sepse dikush mendon se mund të fitojë pikë politike duke baltosur figurat që gëzojnë respekt në popull?
Cili është dallimi i kësaj mendësie dhe shtetit serb për këto përsonaltete?
Nëse është kështu, atëherë është një lojë tepër e rrezikshme.
Sepse urrejtja politike është si zjarri në pyll.
Kur ndizet, askush nuk e kontrollon më.
Fillimisht digjen kundërshtarët.
Pastaj digjen aleatët.
Në fund digjet vetë pylli.
Fyerja e vazhdueshme e figurave të respektuara nuk prodhon demokraci.
Prodhon radikalizim.
Prodhon hakmarrje verbale.
Prodhon klimë konflikti.
Dhe historia na ka mësuar se konflikti politik fillimisht lind në gjuhë, pastaj kalon në rrugë.
Prandaj përgjegjësia e partive politike nuk është vetëm të organizojnë fushata.
Detyra e tyre është të mbrojnë standardet minimale të qytetërimit.
Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë nuk janë më pjesë e zgjidhjes.
Bëhen pjesë e problemit.
Kosova ka nevojë për kritikë.
Ka nevojë për debat.
Ka nevojë për konkurrencë politike.
Por nuk ka nevojë për urrejtje.
Nuk ka nevojë për linçime.
Nuk ka nevojë për fyerje ndaj familjeve që u bënë simbol i sakrificës kombëtare.
Sepse liria e fjalës nuk është liria për të poshtëruar.
Liria e fjalës është përgjegjësi.
Dhe kur përgjegjësia mungon, mbetet vetëm zhurma.
Ndërsa zhurma nuk ndërton shtete.
Nuk nderon dëshmorë.
Nuk edukon breza.
Nuk krijon të ardhme.
Ajo vetëm helmon shoqërinë.
E kur shoqëria helmohet përditë nga urrejtja, atëherë askush nuk duhet të habitet kur një ditë korrim furtunën që është mbjellë prej kohësh.