Qëndrim Kryeziu ka bërë thirrje për organizimin e një proteste masive në Prishtinë, duke ftuar qytetarët që të mobilizohen dhe të dalin në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend.
Sipas Kryeziut, protesta synon të kundërshtojë atë që ai e quan “serbizim të Kosovës”, si dhe të kërkojë llogari për çështje që lidhen me energjinë, investimet dhe menaxhimin e financave publike.
Në thirrjen e tij, ai është shprehur në mbështetje të arritjes së një marrëveshjeje për gazin amerikan, duke e cilësuar atë si një mundësi për rritjen e sigurisë energjetike dhe forcimin e lidhjeve me partnerët euroatlantikë.
Kryeziu ka ngritur gjithashtu shqetësime për çështje që lidhen me dokumentimin e qytetarëve serbë, raportet me Serbinë dhe shpenzimet buxhetore, duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet.
“Mjaft më! Dalim në shesh! Organizohuni në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat! Kërkojmë llogari, drejtësi dhe një Kosovë të lirë, të sigurt dhe të begatshme”, thuhet në thirrjen e tij.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të publikohen data dhe ora e saktë e tubimit që pritet të mbahet në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.