Shkruan: Agron Hoti
Duke qenë se tashmë bindshëm më shumë shqiptarë jetojnë në diasporë sesa në Kosovë, atëherë edhe përfaqësimi politik i diasporës do të duhej të ishte në përputhje me peshën e saj demografike. Sot, për shembull, së paku 65% e Qeverisë, Kuvendit dhe komunave do të duhej të përbëhej nga përfaqësues të diasporës. Njësoj do të duhej të ishte edhe përbërja e kabineteve të ministrave, kryeministrave dhe komunave. Është normale, ata që votojnë, duhet të kenë edhe përfaqësimin proporcional politik.
Me ritmet e shpopullimit me të cilat, fatkeqësisht, po përballet Kosova, përqindja e përfaqësimit të diasporës do të duhej të rritej vazhdimisht në raport me popullsinë që jeton në Kosovë. Nëse ikja e rinisë vazhdon me të njëjtin ritëm, pas 20 apo 30 vjetësh mund të arrijmë në një situatë, ku pothuajse e gjithë Qeveria, Kuvendi dhe komunat do të duhej të zgjidheshin nga diaspora për të qeverisur një popullsi të plakur që ka mbetur në Kosovë.
Politika e papërgjegjshme e Kosovës ka bërë që një pjesë e madhe e popullsisë, nën maskën e patriotizmit, të zhvendoset në diasporë. Në këtë mënyrë, Kosova rrezikon të bëhet vendi i vetëm në Evropë ku zgjedhjet parlamentare dhe komunale do të përcaktoheshin kryesisht nga votuesit jashtë vendit, ndërsa qeverisja do të ushtrohej mbi një popullsi gjithnjë e më të vogël dhe më të moshuar brenda vendit, derisa, në fund, t’i vihej dryni nënës Kosovë.
Por nuk duhet harruar se, sa më shumë që kalojnë gjeneratat, aq më pak e lidhur dhe e interesuar për Kosovën do të bëhet diaspora. Kjo ndodh sepse brezat e rinj integrohen në vendet ku jetojnë, ndërtojnë jetën e tyre atje dhe, me kalimin e kohës, kanë gjithnjë e më pak interes e angazhim për çështjet e Kosovës. Kjo ka ndodhur edhe me diasporat e vendeve tjera. P.sh. miliona gjermanë, italianë, anglezë, etj. që sot jetojnë në SHBA as që u bën më se ç’ndodh në Gjermani, Itali, Angli, etj, se lëre më të votojnë.
Si pasojë, mund të vijmë në një situatë ku Kosova do të mund mbetet pa një bazë të mjaftueshme elektorale, pasi numri i votuesve do të zvogëlohej shumë si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë. Në një skenar të tillë, institucionet e vendit – Qeveria, Kuvendi dhe komunat – do ta kishin gjithnjë e më të vështirë të gjenin legjitimitetin dhe mbështetjen e nevojshme demokratike për të funksionuar normalisht.