Bashkimi Evropian do t’i vendosë sanksione të reja Bjellorusisë, ka njoftuar sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Bruksel, shefja e BE-së tha: “Do të veprojmë me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, për shkak të rolit të këtij vendi në luftën e Rusisë në Ukrainë”.
Von der Leyen gjithashtu theksoi se BE-ja do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e këtij institucioni që të mbështesë popullin trim të Ukrainës, dhe t’i bëjë presion Kremlinit.
Ky paralajmërim vjen disa ditë pasi kreu i opozitës bjelloruse Pavel Latushko, la të kuptohet për një mobilizim të mundshëm për t’i ofruar ndihmë ushtarake Rusisë.
Në një intervistë dhënë për grupin mediatik Redaktionsnetzwerk Deutschland, Latushko tha se punonjësit e organeve të Punëve të Brendshme të Bjellorusisë, u detyruan të dorëzonin pasaportat e tyre.
“Kjo do të thotë se në rast mobilizimi nuk do të mund të largohen nga vendi”, shtoi ai.
/TV Arbëria