Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, i cili ishte mjaft i zëshëm gjatë fushatës zgjedhore të 7 qershorit, ka komentuar rezultatin e (jo) pritur të deritanishëm që ka arritur në zgjedhje.
Sipas numërimit të mbi 90 për qind të votave për kandidatët për deputetë, Kryeziu ka grumbulluar rreth 5 mijë e 732 vota.
Në një prononcim për Klankosova.tv, ai tha se kishte pritur më shumë vota, por pavarësisht kësaj e konsideron rezultatin një fitore.
“Kam pritur më shumë, por e konsideroj fitore. Besoj shumë se votat e diasporës do të më nxjerrin diku te kandidati i 35-të dhe me cilindo koalicion që do ta bëjë partia, do të jem pjesë e Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Kryeziu tha se rezultati ka peshë të veçantë për të, pasi sipas tij votat që ka marrë janë vota direkte dhe jo të siguruara përmes strukturave partiake.
“Kjo është një fitore e jashtëzakonshme për mua, sepse kam fituar votë pa strukturë. Votat e mia janë votë direkte për mua”, u shpreh ai.
Ai tha njëherësh, se gjatë fushatës zgjedhore ka ndikuar që një numër votuesish sipas tij të mos e mbështesin më Lëvizjen Vetëvendosje, duke përmendur si arsye çështje që lidhen me dinarin, strukturat paralele dhe projektet infrastrukturore.
“Gjithashtu, vlen të theksohet se kam kontribuar për partinë në mosdaljen e qindra votuesve që kanë votuar më parë për LVV-në. Kam me qindra SMS që më kanë thënë se nuk e votojnë PDK-në për arsye të ndryshme, por nuk do ta votojnë as LVV-në më për shkak të dinarit, strukturave paralele dhe rrugës për Besianë. Kanë dalë dhe e kanë matur rrugën vetë, ndërsa videot e tyre kanë rezultuar 100 për qind të sakta. Kështu që jam i kënaqur, pasi partia ka marrë 206 mijë vota”, potencoi tutje kandidati për deputet për Klankosova.tv.
E krejt në fund, Kryeziu tha se do të vazhdojë të angazhohet për projekte që, sipas tij, janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, duke përmendur liqenet e Rugovës, Drinit e Anamoravës, si dhe projektet e teleferikëve në Prishtinë dhe Ferizaj.
“Edhe projektin për liqenin e Rugovës, Drinit dhe Anamoravës do t’i shtyj përpara, së bashku me teleferikun në Prishtinë dhe Ferizaj”, ka deklaruar Kryeziu.
