Blog Post

Arbëria TV > Lajme > FSK merr pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender- Europe’23”

FSK merr pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender- Europe’23”

Disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke marrë pjesë në fazën planifikuese të stërvitjes së përbashkët “Defender-Europe’23” që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka publikuar pamje nga ekipi i FSK-së teksa tha se pjesë e këtij ushtrimi janë 25 vende anëtare të NATO-s.

“Ekipi planifikues i FSK-së së bashku me ekipin e forcave amerikane dhe forcave tjera aleate janë duke zhvilluar konferencën finale planifikuese katërditore të Stërvitjes “DEFENDER- Europe’23” në Budapest të Hungarisë. Stërvitja “DEFENDER- Europe’ 23″ është stërvitje e shkallës së gjerë që organizohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë me forcat e vendeve aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të saj”.

Tutje, Mehaj tregoi se cilat janë objektivat e FSK-së në këtë stërvitje që merr pjesë me mbi 1,300 pjesëtarë.

“Vendi ynë do të jetë ndër vendet pritëse të kësaj stërvitje dhe FSK merr pjesë me mbi 1300 pjesëtarë. Objektivat kryesore të FSK në këtë stërvitje janë rritja e ndërveprueshmërisë, validimi i kapaciteteve të këmbësorisë, validimi i kapaciteteve të mbështetjes dhe vlerësimi i mbështetjes mjekësore”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

/TV Arbëria