Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gani Koci, ka ndryshuar tërësisht pamje. Ai ka vënë mjekër të gjatë dhe prej kohësh nuk është shfaqur në publik.
Me pamje të ndryshme prej viteve kur shërbente si deputet e pastaj edhe si ministër, të çrregullt dhe me mjekër të gjatë, Gani Koci është shfaqur të hënën në një ndejë me ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ndejën e organizuar në një odë në Kleçkë, ai është parë në shoqërinë e ish-komandantëve Fatmir Limaj e Sami Lushtaku, dhe kolegut të tij të partisë, Adem Grabovcit.
“Vetëm të bashkuar, si dikur, mund t’i davarisim këto re të zeza që po sillën në Kosovë dhe rreth Kosovës”, ka shkruar të martën Koci, në një publikim në Facebook.
Hera e fundit që Gani Koci ushtroi një funksion publik ishte viti 2018, kur ushtronte funksionin e zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë Haradinaj.