Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Krijohet Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër

Krijohet Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër

Një grup infermierësh dhe profesionistësh shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër kanë themeluar “Lidhjen e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër”, me synimin për të bashkuar, fuqizuar dhe promovuar profesionistët shqiptarë të infermierisë në mbarë vendin.

Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, mbështetjen e ndërsjellë, edukimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë. Po ashtu, ajo synon të kontribuojë në promovimin e shëndetit, informimin e komunitetit dhe forcimin e rolit të infermierisë në shoqëri.

Ideatorët e këtij projekti janë profesionistë shqiptarë të shëndetësisë, të cilët prej vitesh japin kontribut në sistemin shëndetësor zviceran dhe besojnë se bashkëpunimi, profesionalizmi dhe shkëmbimi i njohurive janë elemente kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të profesionit.

Sipas tyre, takimi i radhës i Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër pritet të mbahet në muajin shtator, ku do të shërbejnë për finalizimin e dokumenteve organizative, zgjerimin e anëtarësisë dhe përcaktimin e objektivave afatgjata..

«Përveç aktiviteteve profesionale, Lidhja parasheh organizimin e seminareve, trajnimeve, ligjëratave informuese dhe aktiviteteve të tjera që ndihmojnë në zhvillimin profesional të infermierëve dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për çështje të rëndësishme shëndetësore.», ka thënë Fidan Hoti, inxhinier profesional i sistemeve të teknologjisë informative.

«Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe mbështetjes së komunitetit shqiptar në Zvicër përmes informimit dhe orientimit në sistemin shëndetësor, si dhe promovimit të një kujdesi cilësor dhe të barabartë për të gjithë.», tha nga ana tjetër Xheneta Zuzaku, infermiere e diplomuar HF, CEO dhe bashkëthemeluese e Spitex Diversity në Zvicër.

“Motoja e propozuar e kësaj nisme, ‘Një rrjet, një profesion, një vizion’, mishëron frymën e bashkëpunimit dhe të përkushtimit që synon të promovojë organizata, duke u mbështetur në vlerat e humanizmit, profesionalizmit, respektit dhe solidaritetit”, deklaron infermierja Antigona Kicaj, njëra ndër pionieret e ofrimit të shërbimeve Spitex në gjuhën shqipe në Zvicër.

Grupi themelues ftojnë të gjithë infermierët dhe profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër që të bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të kontribuojnë në krijimin e një platforme të përbashkët profesionale në shërbim të profesionit dhe komunitetit shqiptar.

Vlora Zeka është infermiere e diplomuar HF me mbi 20 vite përvojë profesionale në sektorin shëndetësor. Ajo ofron mbështetje dhe kujdes profesional në Bülach dhe në rajonin e Zürcher Unterland.

Përvoja e saj përfshin kujdesin akut, rehabilitimin, psikiatrinë, Spitex-in për fëmijë, kujdesin gjatë periudhës së lehonisë (Wochenbett), si dhe fusha të tjera të kujdesit shëndetësor. Deri në fund të vitit 2023 ka punuar në organizata publike të Spitex-it, ku ka fituar përvojë të vlefshme profesionale që e ka orientuar drejt vetëpunësimit.

Përveç angazhimit në kujdesin shëndetësor, Vlora Zeka ligjëron kurse SRK dhe mbështet individët në edukimin dhe zhvillimin e kompetencave të tyre në fushën e shëndetësisë. Gjithashtu ofron Hijama (terapi me kupa) dhe akupresurë si metoda plotësuese për promovimin e shëndetit dhe mirëqenies.