Shkruan: Afrim Kasolli
Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit me 7 qershor. Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që do të mbahen brenda një periudhe 16-mujore. Në dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit që ishin të rregullta dhe u mbajtën sipas afatit kushtetues, ato të 28 dhjetorit dhe këto të 7 qershorit, janë zgjedhje të parakohshme. Në rastin e parë sepse partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ia doli t’i siguronte në dy tentime parlamentare votat e mjaftueshme për votim të qeverisë, kurse në rastin e dytë sepse Kuvendi i Kosovës e shpenzoi afatin kushtetues prej 34 ditësh, të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për ta votuar Presidentin/en e shtetit, pas përfundimit të mandatit të Presidentes Vjosa Osmani.
Mirëpo, duke marrë parasysh procedurën parlamentare që duhet të zbatohet me rastin e votimit të Presidentit/es, në mënyrë që ky votim të jetë konform normave kushtetuese, ekziston rreziku që as këto zgjedhje të mos ofrojnë zgjidhje. Përkundrazi, ka gjasa që kjo krizë politiko-juridike të përkeqësohet edhe me tej. Për më shumë nëse skadon edhe afati gjashtëmujor i ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, Kushtetuta e Kosovës është e heshtur, në rast se mbetet i zbrazët institucioni i kreut të shtetit, se cila instancë tjetër mund t’i ushtrojë kompetencat e tij. Skenar ky që bënë edhe më të paqartë raportin kushtetues ndërmjet pushteteve. Ndërkohë, nëse marrim parasysh edhe bllokadën 9 mujore në vitin që e lamë e pas, për shkak të zvarritjes për ta konstituuar Kuvendin, shihet qartë se ndër arsyet kryesore të agravimit të kësaj krize në masë të madhe lidhen me thellimin gjithnjë e më të hapur të hendekut ndërmjet sjelljes së partive politike, me theks te veçantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe detyrimeve të tyre kushtetuese. Tendencë kjo që ka marrë përmasa radikale në legjislaturat e fundit, për çka edhe ka ndikuar që këto të jenë edhe më jetëshkurtrat në historinë e parlamentarizmit në Kosovë.
Në këtë kontekst, një vështrim i disa prej qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me disa prej aktgjykimeve kushtetuese që kanë pasur për fokus formimin e organeve qendrore të pushtetit hedh mjaftueshëm dritë mbi këto antinomi. Le të marrim shembullin e Aktgjykimit Nr. K029/11 të parashtruar nga Sabri Hamiti dhe deputetë të tjerë, të njohur ndryshe si rasti Pacolli, i cili kishte konstatuar se procedura e zgjedhjes së Presidentit në mungesë të një kundërkandidati, si dhe 80 deputeteve në sallë, sipas nenit 86 të kushtetutës, ishte konsideruar si jokushtetuese. Ndërkohë, i njëjti aktgjykim duke u bazuar edhe në infrastrukturën tjetër ligjore në paragrafin 84 konsataton se, “duke u bazuar në nenin 83 të Kushtetutës (Statusi I Presidentit), Kreu i Shtetit përfaqëson unitetin njerëzve të Republikës së Kosovës , dhe pasi është i një rendësie kaq të madhe, të gjithë deputetët, si përfaqësues të popullit të Kosovës, duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre, përveç nëse ju lejohet nga Kryetari I Kuvendit, të marrin pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit siç përcaktohet ne nenin 86 [Zgjedhja Presidentit] të Kushtetutës”.
Me këtë rast, ka mjaftuar ky formulim në këtë Aktgjykim që Lëvizja Vetëvendosje t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për disiplinim të deputetëve të opozitës që e bojkotuan seancën e 5 marsit të vitit 2026, me pretendimin se të njëjtit janë duke i shpërfillur detyrimet e tyre kushtetuese.
Mirëpo, insititucioni më i lartë kushtetues nëpërmjet rastit KO68/26 e ka hedhur poshtë këtë ankesë. Kurse me anë të Aktgjykimit në rastet nr. KO72/26 dhe KO74/26, të parashtruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në paragrafin 175 ka rikujtuar se Kushtetuta “sipas nenit 70 (Mandati i Deputetëve) e ka përcaktuar se përfaqësuesit e popullit nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, “deputetët marrin përsipër përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq se çka “deputetët e konsiderojnë se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspektin politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit”.
Sidoqoftë, ky insistim i Lëvizjes Vetëvendosje për të kërkuar masa ndëshkuese dhe disiplinuese ndaj deputeteve që refuzojnë të jenë të pranishëm në seancë plenare në rastet si votimi i Presidentit/es, bie në kundërshtim më vetë sjelljen e këtij subjekti politik në të kaluarën. Siç dihet deputetët e saj në mënyrë uniforme deri më 4 prill 2021, me rastin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e shtetit, asnjëherë nuk i kanë përfillur ato norma që në këtë rast synuan t’i përdorin si masa detyruese ndaj partive opozitare.
Ndërkohë, ky sforcim nga Gjykata Kushtetuese i vullnetit autonom të deputeteve, ka treguar qartë se e vetmja shtegdalje nga kriza ku po katandiset vendi nuk mund të bëhet ndryshe, pos duke i lexuar si normat kushtetues ashtu edhe disa prej aktgjykimeve kushtetuese në tërësinë e tyre, e jo në mënyrë dogmatike sipas prizmit të interesave partikulare partiake dhe duke mos e përjashtuar angazhimin e mirëfilltë për marrëveshje politike me të gjitha forcat politike parlamentare si përfaqësuese të popullit. Si shembull në këtë drejtim mund të merret marrëveshja e vitit 2011 pas Aktgjykimit të sipërcekur Nr. K029/11, kur Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, u dakorduan për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke i dhënë vendit atëbotë si drejtuese të shtetit, ish-Presidenten Atifete Jahjaga. Madje zgjedhja e saj në këtë pozitë mbetet rasti i vetëm kur një kandidate ia doli që t’i marrē 80 vota të deputeteve që në raundin e parë të votimit.
E një solucion i tillë për zhbllokim të jetës politike dhe institucionale gjen mbështetje edhe në Aktgjykimin e rastit KO124/25, lidhur konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku në paragrafin 190 të këtij dokumenti thuhet se “propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm”.
Në këtë kontekst, mbase kjo mungesë e vullnetit nga Lëvizja Vetëvendosje për marrëveshje politike duke e konsideruar veten si përfaqësuesja e vetme e vullnetit politik popullor, si dhe tendenca për respektim selektiv të obligimeve kushtetuese, duke tentuar që detyrimin e saj kushtetues për kompromis politik me forcat tjera parlamentare si parakusht për themelim të institucioneve qendrore të pushtetit ta zhvendos në detyrim individual të deputeteve, pavarësisht qëndrimeve partiake, është shndërruar në burim të fragjilitetit institucional dhe shtetëror. Sepse, siç ka vënë në pah, Hannah Arendt në librin e saj “Gjendja Njerëzore”, është në natyrën e aksionit politik që të jetë fragjil dhe i pasigurt. Kështu, për ta korigjuar ketë dobësi inherente ai duhet te ushtrohet konform frymës normative ligjore. Prandaj, nuk është e rastësishme që as këto zgjedhje nuk ofrojnë asnjë siguri për tejkalim të kësaj bllokade. Ndërkohë, sipas liderit të këtij subjekti politik, nga ky cikël permanent i krizave mund te dilet vetëm nëse partia e tij i fiton 60 për qind të trupit elektoral. Përndryshe, zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë vetëm një prelud për tjerat. Sepse, stabiliteti mund të garantohet vetëm nëse kjo parti i zotëron të gjitha levat e pushtetit. Në të kundërtën do të vazhdojë ky vakum institucional dhe shtetëror deri në triumfin përfundimtar të Lëvizjes Vetëvendosje.