Një nga barnat më të shtrenjta për trajtimin e kancerit po qarkullon në tregun privat me çmime që ngrenë pikëpyetje për origjinën dhe mënyrën e furnizimit të tij.
Gazetare: Anisa Mehmeti
Ekspertë të fushës thonë se ilaçi Pembrolizumab i cili në treg kushton mijëra euro, në disa raste po ofrohet me çmime shumë më të ulëta, gjë që sipas tyre mund të tregojë se sigurohet përmes rrugëve ilegale. Ata paralajmërojnë se në raste të tilla nuk mund të garantohet cilësia dhe efekti i produktit.
Dyshimet u përforcuan edhe gjatë verifikimeve të realizuara. Gjatë kontaktimit të një barnatoreje private, u konfirmua se ilaçi mund të blihet për rreth 100 euro, një dallim i madh krahasuar me vlerën reale të produktit, e cila sipas njohësve të fushës arrin nga 5 deri në 6 mijë euro për dy njësi.
Ndërkohë, derisa ilaçi mund të gjendet në tregun privat, pacientët me kancer po përballen me mungesën e tij në institucionet publike shëndetësore. Sipas gazetares së shëndetësisë, Saranda Ramaj, ky bar mungon në sektorin publik që nga muaji shkurt.
“Është një prej barnave më të kushtueshme, sipas monitorimeve që kam bërë është në mungesë që nga Shkurti i këtij viti”, deklaroi Ramaj.
Ajo thekson se bëhet fjalë për një prej barnave më të kushtueshme në trajtimin e sëmundjeve malinje, ndërsa edhe në rastet kur sigurohet, jo të gjithë pacientët kanë qasje në të. Sipas saj, kufizimet buxhetore ndikojnë që trajtimi të mos mund t’u ofrohet të gjithë pacientëve që kanë nevojë.
“Vetëm një pjesë e pacientëve kanë qasje në të, për shkak të indikacioneve që unë besoj me buxhetin që e ka Kosova ende të pamjaftueshëm nuk mund të mbuloj krejt pacientët”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se është nënshkruar kontrata e re për furnizimin me këtë produkt dhe se aktualisht po presin procedurat e porositjes. Sipas QKUK-së, Klinika e Onkologjisë disponon edhe alternativa të ilaçit, të siguruara përmes donacioneve.
“Nga njoftimi i zyres se prokurimit te SHSKUK -se është nenshkruar kontrata e re per produktin ne fjalë, dhe jemi ne pritje te kerkesave per porosi per furnizim nga menaxherja e kontrates. Gjithashtu ju njoftojme qe Klinika e Onkologjise ka ne stok edhe alternativa te produktit, te cilat i kemi pranuar permes Donacioneve”, u tha në njoftimin e QKUK-së.
VideoKËTU