Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëria: mes virgjërisë mjedisore migjeneske dhe zhvillimit si tërë bota

Shqipëria: mes virgjërisë mjedisore migjeneske dhe zhvillimit si tërë bota

SHKRUAN: AGRON HOTI

Po të kishte menduar Franca vetëm për virgjërinë mjedisore, sot nuk do ta siguronte pjesën më të madhe të energjisë nga centralet bërthamore dhe nuk do ta përballonte krizën energjetike më mirë se shumica e Evropës.
Po të kishte menduar Gjermania vetëm për virgjëri mjedisore, nuk do të kishte sakrifikuar dhjetëra mijëra hektarë tokë për autostrada, hekurudha dhe industri. Dhe nuk do të ishte ekonomia numër një e Evropës.
Po të kishte menduar Spanja vetëm për ruajtjen e virgjërisë bregdetare, sot nuk do të fitonte miliarda nga turizmi që pushton Mesdheun.
Po të kishte menduar Kina vetëm për virgjëri mjedisore, nuk do të ndërtonte termocentrale, fabrika dhe mega-infrastrukturë. Nuk do të bëhej fuqia e dytë ekonomike në botë.
Po të kishin menduar vendet arabe vetëm për virgjëri mjedisore, nuk do të nxirrnin nga energjia qindra miliarda euro çdo vit.
Po të kishin menduar Italia dhe Greqia vetëm për virgjëri mjedisore, sot brigjet e tyre nuk do të ishin magneti turistik i botës.
Ndërsa Shqipërisë i kërkohet të mbetet nën virgjëri mjedisore. Të mos prekë lumenjtë. Të mos zhvillojë bregdetin. Të mos ndërtojë. Të mos prodhojë. Të mos fitojë.
Vjosën e quajnë “lum i virgjër”, sikur virgjëria të ushqejë ekonomi, të hapë vende pune apo të mbajë të rinjtë në vend. Në vend që mbi atë lum dhe të tjerë të ndërtoheshin mega-diga për eksport energjie në Evropë, Shqipërisë i serviret filozofia e varfërisë së bukur.
Nëse Shqipëria nuk shfrytëzon bregdetin për turizëm dhe lumenjtë për energji, çfarë do të shfrytëzojë? Shkëmbinjtë? Malet e boshatisura? Fshatrat nga ku njerëzit po ikin çdo ditë?
Një komb që sakrifikon zhvillimin për përralla mjedisore, nuk ruan natyrën — ruan varfërinë.
Shikoni Kosovën – refuzoi termocentralin e ri, refuzoi energjinë dhe investimet amerikane dhe tash ka ngelur me gishta në gojë, ndaj edhe është futur nën sabotazh dhe paralizë totale. Shqipëria nuk duhet të bëjë gabimin historik të Kosovës.