Shkruan: Pétar Sloterdijk
Ata që marrin përsipër të komentojnë fatin e fesë dhe të sferës fetare në kushtet e ngritjes së botës moderne, përballen menjëherë me një koncept që autorë të shumtë e kanë përdorur si një çelës universal për të hyrë në çdo dhomë të shtëpisë së përbashkët të njerëzimit modern euro-amerikan: sekularizimi.
Fillimisht, ‘sekularizimi’ ishte një term juridik që shënonte përvetësimin pak a shumë të dhunshëm të pronave të kishës nga organet e shtetit modern kombëtar, pas Revolucionit Francez.
Në shekullin XIX ai u zhvillua në një term që dukej se shprehte drejtimin në të cilin po lëvizte bota në tërësi – një drejtim i vërtetë, në sytë e progresistëve dhe laikëve, por një drejtim i gabuar, sipas atyre që e konsideronin veten humbës të procesit të modernizimit.
Në qarqet katolike flitej për sekularizimin si për një krim me pasoja të mëdha, të kryer nga bota moderne narcisiste dhe humaniste në revoltën e saj kundër origjinës së dhënë nga Zoti.
Përkundrazi, për progresistët, diskursi i sekularizimit përmbante premtimin se njerëzimi, përmes punës dhe vetëvendosjes, do të ishte në gjendje të çlirohej nga parahistoria e tij e padenjë, e mbuluar nga patronazhi fetar.
Borgjezia e ndriçuar besonte se kishte të drejtën t’ua merrte masave joproduktive zotërimet e tyre shpirtërore dhe t’ia dorëzonte ato një njerëzimi tokësor, punëtor dhe veprues.
Duke i shndërruar thesaret e ngurta të kishës në kapital aktiv, sekularizimi në kuptimin e tij më të ngushtë realizoi modernizimin e pasurisë që historia tashmë e kërkonte.
Në fund, edhe Vatikani u detyrua ta ndiqte këtë prirje. Ai fitoi reputacionin e një nxënësi jashtëzakonisht të shpejtë duke u përfshirë në praktikën e kapitalizmit financiar dhe duke e zënë hapin.
Kalimi nga pasuria në formën e thesarit drejt pasurisë në formën e kapitalit ndikoi domosdoshmërisht në të gjitha fushat e tjera të vlerës.
Si pasojë, sekularizimi u bë sinjali për një shoqëri teknologjikisht dhe komercialisht të fuqishme që të largohej nga të gjitha mënyrat e të menduarit të ndërtuara mbi aksiomat e pasivitetit dhe nënshtrimit.
Modern është çdo person që beson se mund të bëjë diçka tjetër përveçse t’i përkushtohet Zotit dhe fuqive më të larta, madje edhe në rrethanat më ekstreme. Njeriu modern nuk dëshiron t’i nënshtrohet fuqisë më të lartë; ai dëshiron, përkundrazi, të jetë vetë ajo fuqi.