Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj vazhdon me vizita në familjet shqiptare të cilat dhanë shumë për lirinë e Atdheut në secilën etapë të historisë.
Ai sot ka vizituar familjen e Avdyl Gjevukajt në Pejë, i cili ishte i burgosur politik i viteve të ’60-a.
“Familjet atdhetare ishin ato që mbajtën gjallë Atdheun dhe shpresat e popullit shqiptar për liri me breza të tërë. Sot kisha nderin të vizitoj familjen e Avdyl Gjevukaj, në Pejë. Avdyli i takon gjeneratës së të burgosurve politikë të viteve 60-ta, ku si shumë intelektualë të asaj kohe u angazhua në avancimin e të drejtave të shqiptarëve të shtypur në ish-Jugosllavi”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Me këtë rast, Haradinaj ka ndarë medalje për kontributin e tij për çështjen kombëtare.
“Me këtë rast, i ndava medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, për kontributin e tij në çështjen shqiptare. I urova shëndet dhe e falënderova për mikpritjen”, ka përfunduar Haradinaj.
/TV Arbëria