TV Arbëria ka zhvilluar një intervistë me shkrim me analistin politik Afrim Kasolli.
Kasolli flet për gjendjen aktuale politike në vend, ndikimin e bllokadës institucionale në elektorat, pritshmëritë për pjesëmarrjen në votime dhe mundësinë e krijimit të një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës pas zgjedhjeve.
- Si e vlerësoni situatën politike në Kosovë para zgjedhjeve të reja?
Afrim Kasolli: Në përgjithësi situata politike mbetet në masë të madhe e polarizuar dhe më shumë paqartësi për të ardhmen. Madje nuk është e sigurt nëse këto zgjedhje do të mund të ofrojnë zgjidhje për bllokadën kryesore politike që ka të bëjë më temën e Presidentit, duke e bërë edhe më shumë fragjile gjendjen, për shkak këtyre tensioneve që janë agravuar. Është rrënuar çdo mirëbesim dhe mirëkuptim ndërmjet subjekteve politike. Të gjitha e shohin njëra tjetrën me dyshim. Kuptohet, kjo klimë është shtresëzuar për një kohë të gjatë, por tashmë ka arritur pikën kritike. Fakti se qytetarët e Kosovës po detyrohen të dalin për të herë të tretë në zgjedhje brenda 16 muajve flet më mirë se asgjë tjetër, për situatën ku është katandisur skena politike.
2. A prisni ndryshim në rezultatin zgjedhor krahasuar me zgjedhjet e fundit?
Afrim Kasolli: Mbase edhe variacione mund të ketë. Mund të ketë edhe ndryshime të përqindjes së rezultatit. Se në çfarë drejtimi nuk mundem ta prognozojë me saktësi. Sepse nuk jam i bindur se këto zgjedhje do të kalojnë pa u ndëshkuar dikush nga qytetarët për bllokadën politike. E tëra në këtë drejtim do të varet se a do ta konsiderojnë atë më shumë përgjegjës pushtetin apo opozitën për këtë ngërç. Megjithatë pavarësisht lëvizjeve që mund të ndodhin vështirë se mund të pritet një ndryshim i renditjes së partive politike.
3. Çfarë pritshmërish keni për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime?
Afrim Kasolli: Logjikisht, zgjedhjet e shpeshta e lodhin dhe e molisin shoqërinë. E demoralizojnë atë. Në këtë kontekst mund të pritet që pjesëmarrja mund të jetë më ulët se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Mirëpo nuk përjashtohet as skenari se nëse të njëjtit e shohin këtë betejë si vendimtare, ku me angazhimin e tyre shpresojnë ti japin fund kësaj bllokade, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ketë mobilizim po ashtu si zgjedhjet e 28 dhjetorit.
4. A mendoni se pas zgjedhjeve mund të kemi një koalicion të qëndrueshëm qeverisës?
Afrim Kasolli: Vështirë të pritet kjo mundësi. Madje ne mënyrë të vazhdueshme edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes e ka bërë të qartë se ai synon që në këto zgjedhjet t’i përvetësoj 60 për qind të votave të trupit elektoral, si mundësia e vetme për shtegadalje nga kriza, sepse përndryshe zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë vetëm një uverture për të reja, duke treguar se i njëjti e përjashton ndonjë mundësi për marrëveshje politike. Prandaj, në këto rrethana ku as opozita dhe as pushteti nuk e siguron fitoren “absolute” ekziston rreziku se vetëm sa do të thellohet kjo krizë.
/TV Arbëria