Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Keqpërdorimi i diasporës si armë politike nga partitë tona

Keqpërdorimi i diasporës si armë politike nga partitë tona

Shkruan: Agron Hoti

Diaspora shqiptare dikur ishte simbol i unitetit kombëtar dhe i sakrificës për lirinë e Kosovës. Ajo mirëpritej me respekt e dashuri nga qytetarët në Kosovë, sepse ekzistonte një ndjenjë e fortë përbashkimi rreth fatit të përbashkët kombëtar. Ishin rezistenca heroike e qytetarëve në Kosovë dhe mbështetja e diasporës ato që e detyruan Serbinë të largohej nga Kosova. Diaspora nuk shihej si “elektorat”, por si pjesë e pandashme e kombit.
Pas luftës, Kosova nisi të ndërtohej. Njerëzit filluan ta merrnin veten, ekonomia lëvizte, infrastruktura ndërtohej dhe ekzistonte një shpresë se vendi po ecte drejt normalitetit. Por, gjendjes së rëndë që kishte lënë prapa pushtimi mbi 100 vjeçar nuk po mund t’i përgjigjej mjaftueshëm zhvillimi ekonomik që po ndodhte. Izolimi nga BE, një mjedis i pafavorshëm rajonal dhe politikat e pafavorshme ekonomike të UNMIK-ut për mbi 9 vite nuk po arrinin të krijonin asi rritje ekonomike që do të mund të parandalonte ikjen e rinisë. Si rezultat i kësaj një pjesë e rinisë morën botën në sy. Kështu diaspora filloi të rritej. Mllefi i ikjes nga vendi po akumulohej. Partitë tona, kush më shumë e kush më pak, e kapën këtë moment. Kështu, harmonia filloi të prishej në momentin kur partitë politike vendosën ta zhvendosin luftën e tyre për pushtet nga Kosova në diasporë. Aty filloi helmi politik të depërtojë edhe në marrëdhëniet mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në mërgatë.
Sot, partitë tona politike, kush më shumë e kush më pak, e kanë shndërruar diasporën në një instrument brutal elektoral. Në vend që të japin llogari para qytetarëve që jetojnë çdo ditë me papunësi, varfëri, korrupsion dhe padrejtësi në Kosovë, ato bredhin nëpër diasporë duke kërkuar vota dhe duke shitur propagandë patriotike. Pra, partitë po u japin premtime njerëzve ndaj të cilëve nuk mbajnë pothuajse asnjë përgjegjësi direkte, ndërsa po i anashkalojnë qytetarët në Kosovë, të cilëve ua kanë borxh llogaridhënien.
Kjo qasje e papërgjegjshme ka filluar të prodhojë pasoja serioze shoqërore. Sa më shumë që partitë tona eksportojnë gjuhë përçarëse në diasporë, aq më shumë po rritet hendeku mes shqiptarëve brenda Kosovës dhe atyre jashtë saj. Në vend të afërsisë, po krijohet mosbesim. Në vend të solidaritetit, po mbillet përçarje politike edhe brenda familjeve shqiptare.
Më e rënda është se kjo klimë ka filluar t’i godasë padrejtësisht vetë bashkatdhetarët tanë. Duke qenë se në shoqërinë tonë flitet hapur për bindjet politike dhe për atë se kush kë voton, tensionet politike kanë depërtuar edhe në institucionet publike. Ka raste kur mërgimtarëve u rëndohen procedurat administrative, u zvarriten shërbimet apo trajtohen me arrogancë vetëm pse perceptohen si mbështetës të një partie të caktuar. Kjo është e turpshme dhe e rrezikshme për kohezionin kombëtar.
Partitë politike po e keqpërdorin diasporën si armë politike kundër vetë qytetarëve që mezi po mbijetojnë në Kosovë. Në vend që diaspora të shihej si potencial ekonomik, intelektual dhe kombëtar, ajo po instrumentalizohet për interesa të ngushta pushteti. Kjo është një qasje thellësisht antikombëtare, sepse po shkatërron harmoninë mes shqiptarëve dhe po e kthen politikën në burim armiqësie mes vëllezërve dhe motrave të një kombi.
Ironia më e madhe është se partitë tona duhej të turpëroheshin para diasporës, sepse vetë ato janë përgjegjëset kryesore për zbrazjen masive të Kosovës. Korrupsioni, nepotizmi, mungesa e perspektivës dhe kapja e shtetit janë arsyet pse qindra mijëra të rinj u detyruan të largohen nga vendi. Por në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes, ato shkojnë në diasporë pa asnjë ndjenjë turpi për të kërkuar vota dhe për të mbledhur duartrokitje.
Edhe diaspora, fatkeqësisht, shpesh bie pre e këtij manipulimi politik. Në vend që t’i mbante partitë përgjegjëse për gjendjen që e detyroi të largohej nga atdheu, një pjesë e saj po shndërrohet në turmë militante partiake, duke e ushqyer edhe më shumë polarizimin që po e copëton shoqërinë shqiptare.
Kosova nuk ka nevojë për një diasporë të instrumentalizuar politikisht. Kosova ka nevojë për një diasporë të respektuar, të dëgjuar dhe të trajtuar si partner zhvillimi, jo si armë elektorale. Ndryshe, nëse vazhdohet me këtë logjikë të mbrapshtë politike, rrezikojmë që gradualisht të humbim një nga lidhjet më të shenjta që ka mbajtur gjallë kombin shqiptar ndër dekada: besimin dhe dashurinë mes shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës së tyre.